Lidhje

Protestë në Prishtinë kundër negociatave për statusin e Kosovës


Mijëra veta morën pjesë sot në një protestë në Prishtinë kundër propozimit të krye negociatorit ndërkombëtarë për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari dhe ekipit të negociuesve të Kosovës. Protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje një lëvizje që kundërshton negociatat për statusin e Kosovës, kaloi pa incidente. Thirrjet kundër Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe negociatave përshkuan tërë marshimin më se dy orësh të protestuesve, të cilët përballë Parlamentit të Kosovës, thyen simbolikisht një pako qelqi.

“Meqë kjo pako kurrkund nuk e përmend vullnetin politik të popullit shumicë të Kosovës, kurse vendin tonë e lë peng të Serbisë dhe të 5 për qind të njerëzve brenda Kosovës, ne atë pako do ta shkatërrojmë”, tha nje nga drejtuesit e lëvizjes Vetëvendosja, Glauk Konjufca.

Gjendja u duk më e tensionuar përballë selisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara por ajo u shtendos pasi që policia hoqi barrikadat e vendosura në rrugë. Tri javë më parë në një protestë të lëvizjes vetëvendosja, dy veta humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur pas ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë protestuesit.

Disa ditë me radhë para kësaj proteste autoritetet ndërkombëtare dhe vendase bënë thirrje kundër çdo forme të dhunës, duke tërhequr vërejtjen se dhuna dëmton procesin për zgjidhjen e statusit politikë të Kosovës.

Dje në Vjenë të Austrisë përfunduan konsultimet rreth propozimit të krye negociatorit ndërkombëtarë Martti Ahtisaari pa ndonjë ndryshim në qëndrimet tërësisht të kundërta të Beogradit që kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën dhe Prishtinës që kërkon pavarësi të plotë. Të shtunën e ardhshme pritet një takim në nivel të lartë politikë para se propozimi I zotit Ahtisaari të dërgohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Propozimi është kundërshtuar nga Beogradi I cili vlerëson se ai e çon Kosovën drejt pavarësisë. Prishtina zyrtare e ka pranuar atë duke e vlerësuar si rrugë për përmbushjen e aspiratave të qytetarëve të Kosovës, ndonëse me rezerva në disa çështje të cilat kanë nxitur shqetësim në Kosovë e që kanë të bëjnë me decentralizimin e pushtetit, Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe veriun e saj të banuar me shumicë serbe. //kk//

XS
SM
MD
LG