Lidhje

Viti Polar Ndërkombëtar - Programi më i gjerë shkencor


Më 1 mars filloi Viti Polar Ndërkombëtar. Eshtë një përpjekje ndërkombëtare ndërgjegjësimi, që zyrtarisht, vazhdon deri në mars të vitit 2008. Të paktën 50 mijë shkencëtarë nga më tepër se 60 vende të botës janë përfshirë në këtë aktivitet.

Të ashtuquajturat kapsula polare janë mes rajoneve më pak mikpritëse të botës, për shkak të temperaturave nën zero, stuhive të fuqishme dhe erërave të vazhdueshme. Por për shumë shkencëtarë, të cilët punojnë atje, ato janë diçka e mrekullueshme.

Paul Ponganis është vetëm njëri prej shumë shkencëtarëve që marrin pjesë në studimin e koordinuar që filloi këtë javë. Ai studjon pinguinët e Polit të Jugut. "Këto kafshë mund të jetojnë në kushtet kur niveli i oksigjenit në trupin e tyre është shumë i ulët. Këto nivele mund të shkaktojnë trauma për sistemin tonë qelizor, prandaj përshtatja e pinguineve mund të na ndihmojë të kuptojmë disa procese psikologjike që studjon mjekësia", thotë shkencëtari.

Viti Ndërkombëtar Polar, është njëri prej programeve më të gjerë, ku sintetizohet bashkëpunimi në fushën e shkencës. Ai financohet nga Kombet e Bashkuara dhe nga Këshilli Ndërkombëtar i Shkencëtarëve dhe synon të na vijë në ndihmë të kuptojmë problemet që lindin nga ndryshimet e klimës. "Këto probleme nuk mund t’i trajtojmë si vende të veçanta. Kuptimi ynë për rajonet polare do të avancojë. Do të kemi një sistem vëzhgimi polar në Arktik dhe në Antarktidë. Jemi të sigurt se do të ndeshemi me zbulime të reja dhe njohuritë tona do të shtohen, por siç e kemi dëgjuar disa herë, rezultati do të jetë krijimi i një brezi të ri shkencëtarësh dhe inxhinerësh, të cilët do të kenë motivacionin për të kuptuar planetin tonë dhe për të trajtuar çështjen e ndryshimit të tij. Viti Polar Ndërkombëtar është një mundësi e cila të jepet një herë në jetë".

Profesor Donald Manahan ka punuar mbi 20 vjet me radhë në Antarktidë. "Shkenca është tepër e rëndësishme për publikun e gjerë. Biosfera e ftohtë dominon planetin tonë, dhe jo vetëm polet, por edhe oqeanin e thellë. Pjesa më e madhe e Tokës është e ftohtë dhe unë mendoj se një nga sfidat tona në këtë Vit Polar, është ndërgjegjësimi i publikut për rëndësinë e poleve. Nuk kemi të bëjmë vetëm me disa zona të vogla në majën, apo në fundin e Tokës, që kanë rëndësi për një numër të vogël shkencëtarësh, por kjo çështje është e rëndësishme për të gjithë ne", thotë shkencëtari.

Pikërisht me këtë ka të bëjë Viti Polar Ndërkombëtar që do të përqëndrohet tek koordinimi i studimeve në shkallë botërore mbi polin e Veriut dhe atë të Jugut. //rd//

XS
SM
MD
LG