Lidhje

E ardhmja e NASA-s do të varet nga fondet që do t'i jepen agjencisë


Presidenti Bush ka kërkuar një rritje prej 3 për qind në shpenzimet e Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA. Kjo rritje përfshin një shtim prej 3 miliardë dollarësh për të vazhduar punën për mjetin e udhëtimeve hapsinore, Orion, të cilin Nasa e konsideron si shumë të rëndësishme për ambicjet amerikane për t’u kthyer në Hënë. Projekt-buxheti i paraqitur nga Presidenti vjen në një kohë kur Nasa ndeshet me pikëpyetje të shumta për të ardhmen e saj:

Një shërbim përkujtimor i Nasës u organizua kohët e fundit për të përkujtuar aksidentin e vitit 1967 me anijen Apollo 1, kur nga një zjarr në kabinën e pilotit gjatë një prove të anijes gjetën vdekjen të tre astronautët në bord. Shefi i Operacioneve Hapësinore të Nasës, Uilliam Gerstenmaier thotë se agjencia vazhdon të nxjerrë mësime nga gabimet e saj:

"Duhet të përpiqemi t’i zbulojmë problemet para se të ndodhin. Tani që po hedhim hapat e parë për kthimin në Hënë, duhet të kujtojmë mësimet nga anija Apollo 1, se eksplorimi i hapësirës kërkon misione të rrezikshme, por jo rreziqe të panevojshme. Prandaj duhet të tregohemi këmbëngulës në punën tonë, imagjinatën tonë dhe kontrollin e përgjithshëm."-tha ai.

Ndërkohë që Nasa kujton aksidentin me anijen Apollo 1, ajo i hedh giithashtu sytë drejt një të ardhmeje të pasigurtë. Agjencia a hapësirës ende po përpiqet të kapërcejë pezullimin 3 vjeçar të fluturimeve që pasuan aksidentin me anijen Kolumbia. Anija orbitale shpërtheu gjatë kthimit në Tokë, i pari aksident që nga shpërthimi i anijes Çellinxher në vitin 1986. Astronauti Karl Ualz fajëson për këtë tragjedi, qëndrimin e gabuar të Nasës në atë kohë:

"Mendoj se në atë kohë kishim rënë në vetëkënaqësi dhe mendonim se ishim aq të suksesshëm, saqë ishim të pagabueshëm. Por zbuluam se këto misione vazhdojnë të jenë shumë të rrezikshme. Janë jo vetëm të rrezikshme, por edhe me kosto të lartë. Shtëpia e Bardhë ka kërkuar një shumë rekord prej 17,3 miliardë dollarësh për Nasën në vitin 2008, ndërsa disa anëtarë të Kongresit duan të kufizojnë shpenzimet."-tha ai.

Kongresi ka zbritur afërsisht 700 milionë dollarë nga buxheti i programit të fluturimeve hapsinore me ekuipazh për vitin 2007. Ekspertët shqetësohen gjithashtu se agjencia mund të ketë probleme për të gjetur personel cilësor. Uilliam Potter i Fondacionit Përkujtimor për Astronautët thotë se një numër shumë i vogël amerikanësh shprehim interesim për shkencën:

"Shumë provime të përgjithshme tregojnë se studentët amerikanë po mbeten prapa në njohuri shkencore. Shumë universitete kanë arritur në përfundimin se studentët e huaj kanë shumë më tepër entuziazëm për matematikë e ixhinieri se studentët amerikanë."- thotë ai.

Por zyrtarët e Nasës mendojnë se problemi nuk është vetëm tek rënia e interesit për shkencat. Ata thonë se agjencia nuk ka pasur një drejtim të duhur për 3 dekada. Administratori i Nasës Majkëll Grifin e ka përshkruar programin për vajtje-ardhje në hapësirë si një gabim.

Flota e anijeve do të nxirret jashtë përdorimit në vitin 2010 dhe katër vjet më pas Nasa ka në plan të fusë në punë anijet Orion të një tipi të ri. Nasa synon të rifillojë brenda vitit 2020 fluturimet e anijeve me ekuipazh për në Hënë me synimin për të shkuar më pas në Mars.

Agjencia shpreson, se duke caktuar një synim si ai që parashtroi Presidenti Kenedi për të zbritur në Hënë brenda viteve ’60, programi amerikan i hapësirës do të rigjallërohet. Ish-astronautë si Duan Graveline ndjehen shumë të entuziazmuar nga kjo:

"Jam i bindur se do të shkojmë në Mars për kërkime. Do të vazhdojmë eksplorimet, pasi njeriu është një qenie gjithnjë në kërkim, gjithnjë në studim. Synimi për të dërguar njeriun në Mars është pikësynimi më ambicioz i caktuar ndonjëherë për Nasën"-tha ai.

Një studim i Universitetit të Uisconsinit arriti në përfundimin se programi Apollo u kushtoi taksapaguesve mbi 60 miliardë dollarë duke marrë parasysh vlerën e sotme të dollarit. Një udhëtim në Mars do të kushtonte shumë më tepër. Nuk është e qartë se çfarë shume konkrete, dhe nuk është gjithashtu e qartë nëse ekziston vullneti politik për t’i përballuar këto shpenzime.//lk

XS
SM
MD
LG