Lidhje

SHBA: Ish këshilltari i nënpresidentit fajtor për pengim të drejtësisë


Në Uashington, një juri gjeti fajtor ish ndihmësin e lartë të nën presidentit Çeni, Luis Skuter Libi, në 4 prej 5 akuzave për gënjim dhe pengim të drejtësisë gjatë një hetimi lidhur me publikimin e emrit të një agjenteje të CIA-s.

Zoti Libi ishte akuzuar për gënjimin e hetuesve federalë dhe të një jurie në gjyqin paraprak për të përcaktuar se kush e kishte bërë publik emrin e oficeres së agjencisë së zbulimit Valeri Plame, e cila gjatë asaj kohe punonte si agjente e fshehtë.

Zonja Plame është gruaja e ish diplomatit Xhosef Uillson, i njohur si kritikues i hapur i administratës së presidentit Bush lidhur me arsyet e ndërmarrjes së sulmit kundër Irakut në vitin 2003.

Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë thotë se presidenti Bush e respekton vendimin e jurisë për fajësimin e të pandehurit, por i vjen keq për Libin dhe familjen e tij.

Kryeprokurori i çështjes Libi, Patrik Ficxherald tha se është për të ardhur keq që një zyrtar i nivelit të lartë që punonte për nën presidentin gënjeu dhe pengoi drejtësinë./al/

XS
SM
MD
LG