Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike Daniel Fried po zhvillon një vizitë në Ballkan. Ai ka vizituar tashmë Beogradin, ndërsa sonte dhe nesër do të jetë në Kosovë. Zoti Frid takohet sonte në Zveçan me kryetarët e komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës dhe po sonte, do të ketë një takim me njërin nga përfaqësuesit serbë të Listës për Kosovën, Oliver Ivanovic. Zoti Ivanovic i tha sot Zërit të Amerikës, se serbët do t'i paraqesin zotit Frid shqetësimet e tyre, ndër të cilët më kryesori, eshte propozimi i kryenegociatorit Marti Ahtisari për krijimin e një ushtrie të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Ivanovic, pati një përpjekje të serbëve të Kosovës për t’u vetëorganizuar në një lloj kuvendi apo takimi që dështoi. Pse dështoi, kush e bëri që të dështonte?
Oliver Ivanoviç: Synimi ishte që të krijohej kjo asamble, ky institucion, që do të ishte gjithëpërfshirës, në të cilin të gjithë përfaqësuesit politikë serbë të Kosovës, do të përfaqësoheshin. Ne jemi të ndërgjegjshëm për situatën, e dimë që do të bëhet keq e më keq në muajt që vijnë, deri në fund të vitit dhe sigurisht po përpiqemi të jemi gati për sfidat para nesh. Prandaj kërkuam themelimin e një institucioni të tillë. Nuk patëm sukses në përpjekjen e parë, por do të përpiqemi ta bëjmë këtë në të njëjtin vend, pas një muaji. Disa njerëz ndjehen të rrezikuar, mendojnë se duke pasur një trup të tillë politik do të humbasin terren. Ne nuk kemi nevojë për njerëz që nuk mund të mendojnë vetë, por thjeshtë të pasojnë dhe të binden. Ne kemi nevojë për pikëpamjet tona dhe nuk mendoj se pikëpamjet tona janë kundër apo janë aq të ndryshme nga qeveria serbe. Ndoshta kemi disa dallime të vogla lidhur me decentralizimin, por asnjë serb nuk do ta pranojë pavarësinë, pavarësisht nëse jeton në Kosovë apo jashtë saj.
Zëri i Amerikës: Kush qëndron pas atyre njerëzve që e penguan asamblenë, janë serbe të Kosovës, njerëz në Beograd, parti politike në Beograd, apo qeveria serbe?
Oliver Ivanoviç: Ka serbë të Kosovës, por sigurisht janë mbështetur dhe shtyrë për ta bërë atë gjë; fakti që pashë disa përfaqësues shumë të njohur të SPS-së, partisë socialiste, ish-partisë së Millosheviçit, më bëjnë të arrij në përfundimin se ata janë pas kësaj.
Zëri i Amerikës: Ju thoni që kohë të këqija priten për serbët deri në fund të vitit, cfarë doni të thoni me këtë?
Oliver Ivanoviç: Serbët janë të shqetësuar dhe kjo mund të bëjë që të marrin vendime euforike, që do të ishte të largoheshin, që do të ishte një vendim i keq. Mendoj se duhet të jemi gati për cdo mundësi, rezultat të negociatave të paketës së Ahtisarit, përfshi rezolutën e Këshillit të Sigurimit.
Zëri i Amerikës: Duket pak a shumë e qartë tani se rruga e Kosovës po shkon drejt pavarësisë, më mirë të themi drejt heqjes së sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën.
Oliver Ivanoviç: Nuk më duket edhe aq e sigurtë. Le të presim disa muaj, jam i sigurtë tani se deri në fund të këtij viti apo vitin tjetër, do të kemi një situatë më të qartë. Por përshtypja ime është se nuk do të kemi praktikisht ndryshime në Kosovë, do të kemi një status të ri kalimtar, që do ta cojë Kosovën, së bashku me Serbinë dhe ndoshta rajonin, drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo është praktikisht ajo që do të marrim pas Ahtisarit dhe Këshillit të Sigurimit.
Zëri i Amerikës: Ju e dini se të shtunën, presidenti Ahtisari do tu shpjegojë palëve thelbin e propozimit të tij politik. Cfarë prisni nga kjo?
Oliver Ivanoviç: Jo ndryshime të mëdha krahasuar me dokumentin, project-dokumentin e parë, project-propozimi do të jetë i përmirësuar, por jo shumë. Mendoj se Këshilli i Sigurimit do të bëjë ndryshime shumë të mëdha, sepse duhet ta bëjnë këtë nëse nuk duan të përballen me bojkotin e një apo dy vendeve, anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Zëri i Amerikës: Po nëse Këshilli i Sigurimit dhe rezoluta e re e heq sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën?
Oliver Ivanoviç: Mendoj se do të jetë shenjë e keqe sepse në atë rast vetë Fuqitë e Mëdha do të cënojnë ligjin ndërkombëtar dhe do të shkaktojë zhgënjim tek serbët dhe ndoshta shumë prej tyre do të vendosin të largohen.
Zëri i Amerikës: Zoti Ivanoviç, ju jetoni këtu dhe jeni nga pjesa veriore e Kosovës, cfarë do të ndodhë atje nëse Këshilli i Sigurimit dhe rezoluta e re e heq sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën?
Oliver Ivanoviç: Mendoj se zhgënjimi në veri është tashmë i dukshëm dhe nëse ndodh një skenar i tillë, nëse parlamenti i Kosovës shpall pavarësinë e Kosovës, atëherë Veriu do të shpallë pavarësinë nga ajo pavarësi. Mendoj se do të kemi një ndarje të qartë. Mendoj se është dicka për tu shqetësuar në të dyja anët, sepse në të dyja anët do të kemi shumë serbë të Kosovës që do të vuajnë. Ky është shqetësimi im më i madh, shqetësohem sepse në atë rast jam I sigurtë që rreth 60 mijë serbë do të ikin nga pjesa pjesa qendrore dhe jugore e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Ju e dini se një nga parimet e Grupit të Kontaktit është që nuk do të lejohet ndarje e Kosovës. Cfarë ju bën të mendoni se bashkësia ndërkombëtare do ta lejojë ndarjen e pjesës veriore nga pjesa tjetër e Kosovës?
Oliver Ivanoviç: Kam hyrë së fundi në politikë dhe nuk kam shumë përvojë, por përvoja ime më thotë se ka lexime të ndryshme të asaj fjale. Nëse komuniteti ndërkombëtar lejon ndarjen e Kosovës nga Serbia, do të thosha se mund të ndryshojnë mendje edhe për këtë ndarje. Unë jam shumë i qartë kur flas me njerëzit e mi, kini shumë kujdes, mos merrni vendime euforike, bëjeni në mënyrë pragmatike. Kjo është ajo që mund të sugjeroj, mendoj se komuniteti ndërkombëtar nuk do ta bëjë një gabim të tillë, që të ndajë Kosovën nga Serbia sepse në atë rast, ata do të shkrehin shumë raste të ngjashme në Ballkan.
Zëri i Amerikës: Ju do të takoheni sonte me zotin Frid. Cili është pozicioni që do t’i paraqisni?
Oliver Ivanoviç: Atë që ju thashë, jam i lirë t’ia them cilitdo përfaqësues amerikan apo të bashkësisë ndërkombëtare. Po them cilat janë shqetësimet e serbëve të Kosovës dhe përvec kësaj, po përmend gjithmonë, ekzistencën e një ushtrie prej 2500 vetash (sipas planit të Ahtisarit), të armatosur dhe të uniformuar, të trajnuar mirë, mund të shihet si kërcënim dhe serbët mund t’I kundërpërgjigjen në një mënyrë. Çdo lloj kundërpërgjigje do të zgjeronte konfliktin midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, mund të jetë shkrehja e një armiqësie të re, e një përplasje të re.
Zëri i Amerikës: Çfarë doni të thoni me këtë, që serbët e Kosovës do të krijojnë një ushtri të vetën, me 2500 ushtarë?
Oliver Ivanoviç: E thashë më shumë si një cështje hipotetike, që serbët e Kosovës duhet të kenë të vetën, por unë e di shumë mirë se nëse të dyja palët e mbajnë gishtin në këmbëz, dikush do të qëllojë. Dhe ky është ekzaktësisht një skenar katastrofe. //rd//