Lidhje

Shqipëria në raportin e Departamentit të Shtetit


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs paraqiti sot raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2006.

Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se qeveria e Shqipërisë i respektoi përgjithësisht të drejtat e njeriut të qytetarëve të saj megjithatë ka patur probleme të ndjeshme në një numër aspektesh.

Korrupsioni në polici dhe fakti që kjo kalon pa u ndëshkuar ka vazhduar të jetë problem. Ka patur vrasje për motive hakmarrëse dhe një atmosferë frike në disa zona për shkak të gjakmarrjes.

Problem ka qenë dhuna dhe diskriminimi ndaj grave si dhe trafiku i qenieve njerëzore. Në përgjithësi, puna e forcave të rendit ka vazhduar të jetë e dobët. Sjelljet joprofesionale dhe korrupsioni mbetën edhe gjatë vitit 2006 një pengesë kryesore për zhvillimin e një force policore efektive. Pagat e ulta dhe korrupsioni i përhapur në shoqëri e kanë vështirësuar më tej problemin. Korrupsioni vazhdon të jetë një pengesë e madhe për të ndërmarrë reforma të mirëfillta.

Gjatë 2006-s, Shqipëria mori 2,6 pikë nga 10 të mundëshme në treguesin për korrupsionin të hartuar nga organizata Transparency International, sipas së cilës, ka një perceptim se vendi ka një problem të rëndë korrupsioni sidomos mes politikanëve dhe zyrtarëve publikë.

Raporti përmend edhe disa masa të ndërmarra nga autoritetet për të luftuar korrupsionin. Gjatë vitit të kaluar, thuhet më tej në raport, është bërë përparim për largimin e gjykatësve të korruptuar. Ministria e Drejtësisë rekomandoi largimin e 5 gjykatësve nën akuzat për korrupsion dhe paaftësi. Një prej tyre u largua dhe ndaj 4 të tjerëve u morën masa ndëshkuese. Koalicioni qeverisës, vazhdon më tej raporti, e akuzoi prokurorin e përgjithshëm për paaftësi dhe korrupsion dhe i kërkoi presidentit shkarkimin e tij. Por opozita e cilësoi këtë si një sulm ndaj pavarësisë së zyrës së prokurorit. Më në fund presidenti nuk e miratoi propozimin e parlamentit dhe Gjykata Kushtetuese vendosi që komisioni hetimor pëarlamentar i ngritur për të hetuar prokurorin e përgjithshëm ishte jo-kushtetues.

Përsa i përket medias, raporti përmend se politizimi i saj mbetet një çështje shqetësuese. Botuesit dhe pronarët e gazetave vazhduan të diktojnë lajmet për t'u shërbyer interesave të tyre politike dhe ekonomike, ndonjëherë kanë penguar botimin e informacioneve që binin ndesh me këto interesa. Gazetarët vazhduan të praktikojnë vetëcensurën dhe ka patur pak transparencë në mënyrën e financimit të media. Shtypi i pavarur ka qenë aktiv por i ka patur duart të lidhur për shkak të profesionalizmit të kufizuar, mungesë së financimit dhe presioneve politike. Megjithëse stacionet televizive përgjithësisht kanë vepruar të lira nga ndikimi i qeverisë, shumica e pronarëve besojnë se përmbajtja e emisioneve të tyre mund të ndikojë mbi veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tyre të tjera.

Në raport thuhet gjithashtu se Shqipëria vazhdon të jetë burim për trafikimin e grave dhe fëmijëve. Trafiku i fëmijëve drejt Greqisë dhe Kosovës për të lypur ose për shfrytëzim seksual vazhdoi gjithashtu të jetë problem.//rd//

XS
SM
MD
LG