Lidhje

Të drejtat e njeriut në Kosovë; Raporti vjetori i Departamentit të Shtetit


Departamenti amerikan i Shtetit nxori dje raportin e tij vjetor mbi repsektimin e të drejtave të njeriut në botë. Në kapitullin e raportit mbi Kosovën, theksohet se institucionet ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës kanë respektuar në përgjithësi të drejtat e qytetarëve të tyre.

Megjithatë, raporti thekson se mbeten probleme, kryesisht në lidhje me pakicat. Incidentet më serioze përfshijnë vrasje me motive politike dhe etnike, si dhe vdekje dhe gjymtime aksidentale nga shpërthimi i minave.

Mbajtja në paraburgim për një periudhë të gjatë dhe mungesa e një procesi të rregullt gjyqësor, korrupsioni dhe ndërhyrjet qeveritare në punën e gjyqësorit, antipatia sociale për serbët dhe për Kishën Ortodokse Serbe janë gjithashtu probleme shqetësuese.

Raporti thekson se gjatë vitit 2006 nuk ka pasur njoftime për vrasje arbitrare nga institucionet qoftë ndërkombëtare ose ato të qeverisë së Kosovës, megjithatë një pjesëtar i forcave vendase të sigurisë që funksionojnë nën autoritetin e qeverisë së Kosovës kreu një vrasje arbitrare gjatë vitit 2006.

Më 2 janar, oficeri i forcave speciale të Trupave Mbrojtëse të Kosovës Albert Markaj vrau të ndaluarin Besnik Kastrati në një rajon policie në Pejë. Vrasja kishte lidhje me një hasmëri mes dy familjeve. Në tetor oficeri Markaj u shpall fajtor për vrasje dhe u dënua me 10 vjet burgim. Vrasjet me motive politike mbeten ndër shqetësimet parësore në Kosovë.

Më 2 maj, persona të paidentifikuar vranë Mark Oroshin, i dyshuar për vrasjen e aktivistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Shaban Manaj në vitin 2001. I pandehuri Oroshi u lirua më pas për mungesë provash dhe mbeti i plagosur nga një përpjekje për atentat ndaj tij.

Më 20 qershor, 68 vjeçari Dragan Popoviç i përkatësisë etnike serbe u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në Klinë. Megjithë akuzat se vrasja kishte motive etnike, deri në fund të 2006 nuk ishin zbuluar fakte për të vërtetuar këto akuza dhe nuk ishin identifikuar të pandehur në këtë akt.

Raporti thekson se gjatë 2006-s nuk pati përparim në përpjekjet për të ndriçuar vrasjet e 2005-s që konsiderohen me motive politike. Gjatë vitit të kaluar territoret e minuara vazhduan të paraqesin një problem serioz për sigurinë e popullatës në Kosovë, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe duke lënë të plagosur 10 të tjerë.

Megjithë përparimin e bërë për pastrimin e këtij materiali plasës, ai mbetet kërcënim për civilët. Raporti thekson se ka pasur njoftime për akte të keqtrajtimit fizik, torturave dhe trajtimit degradues nga persona që punojnë për institucione të qeverisë së Kosovës.

Media ka njoftuar për përdorimin e forcës nga Shërbimi Policor i Kosovës ndaj demonstruesve të paktën në 4 raste gjatë vitit të kaluar. Gjatë vitit të kaluar ka pasur ankesa për keqtrajtime në qendrat e paraburgimit dhe në burgje, përfshirë edhe akuza për një sulm seksual.

Megjithëse media është e lirë të publikojë raporte kritike ndaj autoriteteve dhe figurave publike, raporti thekson se vështirësitë financiare i bëjnë organet e shtypit të prekshme nga ndikimi i jashtëm. Ka gazeta që si rrjedhojë e financimit nga sektori privat, ndikohen në politikat redaksionale nga grupe të interesave të veçanta.

Liria e besimit mbetet e respektuar me ligj, por identiteti fetar vazhdon të shihet i lidhur ngushtë me identitetin etnik. Komuniteti shqiptar vazhdon ta shohë Kishën Ortodokse Serbe si një simbol të nacionalizmit serb.

Gjatë 2006-s pati një numër njoftimesh për sulme ndaj pasurive të Kishës Ortodokse Serbe, klerikëve serbë dhe besimtarëve serbë. Megjithatë, vazhdoi puna për riparimin e kishave të dëmtuara gjatë trazirave të marsit 2004.

Në Kosovë gjatë 2006-s kishte një perceptim në shkallë të gjerë për korrupsion në qeveri dhe mungesë transparence në institucione. Mungesa e kontrollit të efektshëm mbi gjyqësorin dhe të metat e shtetit ligjor identifikohen si disa ndër faktorët që ndikuan në korrupsion në radhët e institucioneve të qeverisë së Kosovës.

Ndër problemet e tjera të identifikuara në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit janë mungesa e përparimit në kthimin e personave të zhvendosur dhuna dhe diskriminimi ndaj grave, trafiku njerëzor, në veçanti i grave dhe vajzave për qëllime prostitucioni, diskriminimi social kundër handikapadëve, si dhe punësimi i të miturve në sektorin jozyrtar të punës. //ad//

XS
SM
MD
LG