Lidhje

E djatha zyrtarizon kandidaturën e Topit për President


Në mënyrën më të çuditshme dhe në momentin më të papritur, shumica e djathtë po këmbëngul që presidenti i ardhshëm i vendit të jetë njeriu i saj.

Pas deklarimit të kryeministrit Berisha dy ditë më parë se kandidatura e demokratëve është ajo e nënkryetarit të kësaj partie Bamir Topi, sot, zëdhënësi i Grupit Parlamentar, Gazmend Oketa, hoqi çdo dyshim, se emri i zotit Topi mund të ishte vetëm një alternativë, në rast të mungesës së një konsensusi me opozitën.

Ai tha se kandidatura e zotit Topi është e padiskutueshme brenda Partisë Demokratike, por dhe në radhët e partive të tjera të së djathtës. Sipas tij, zoti Topi përfaqëson një figurë konsensuale. Zoti Oketa shtoi se e djathta nuk do të pranonte një emër nga opozita, duke saktësuar se ai po shprehte një qëndrim zyrtar të grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Ajo që habit në këtë pozicionim të së djathtës për çështjen e presidentit, është se deklarimi bëhet në një moment, kur në tryezën e debatit politik dhe veçanërisht në atë të qeverisë, ka shumë çështje të tjera më emergjente për të zgjidhur.

Po ashtu, insistimi i së djathtës, i rikonfirmuar me deklarimin e sotëm të zotit Oketa, vjen në një kohë, kur sinjalet nga e majta, e dalë shumë më e fortë politikisht pas 18 shkurtit, ishin për një tërheqje nga objektivi, për të provokuar zgjedhje të parakohshme në momentin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

Tani është e djathta, që duke hapur një debat të tillë, po hap gjithashtu dhe një konflikt me përmasa aspak të këndshme në muajt e ardhshëm. Nëse deri pak javë më parë, vetë kryeministri evokonte zgjidhjen konsensuale të çështjes se presidentit në vitin 2002, duke anatemuar opozitën, e cila kishte programuar futjen e vendit në krizë, tashmë zoti Berisha ka ndërruar vullnetarisht pozicionet.

Megjithatë, janë të shumtë ata që e shohin këtë lëvizje si një bombë tymuese në tregun politik, për të tërhequr vëmendjen nga çështjet ende të pambyllura të zgjedhjeve, apo ato të ndryshimeve qeveritare. Vetë zoti Topi ka heshtur, por nëse e gjitha kjo është pjesë e një skenari të përkohshëm politik, i humburi i vetëm do të ishte emri i tij.//lk

XS
SM
MD
LG