Lidhje

SHBA: Një shoqatë bamirësie ndihmon prostitutat e mitura


Në Shtet e Bashkuara, prostitutat në moshë të mitur po e rindërtojnë jetën e tyre duke iu larguar rrugës, falë ndihmës së një shoqate bamirëse në Los Angeles që quhet Çildrën of the Najt. Shoqata thotë se janë me qindra historitë e suksesit, por edhe ato tragjike nuk mungojnë.

Ndonëse ushtrimi i prostitucionit është i paligjshëm, ai është një fakt i përditshëm në qytetet amerikane. Për 27 vjet, Çildrën of the Najt u ka ofruar vajzave të mitura që prostituojnë, strehë dhe mundësi për t’u larguar nga jeta e rrugës.

Kjo shoqatë nisi si një projekt studimi nga zonja Lois Li, e cila në atë kohë po mbronte doktoratën në sociologji. Ajo studioi raportet e policisë për arrestimet e prostitutave si dhe çështjet gjyqësore që lidheshin me to.

“Shkova në rrugë për të verifikuar çfarë lexoja në raportet e policisë, dhe kështu e gjeta veten duke ndjekur një vrasës serial, i cili kapet nga policia. Mblodha shumë prostituta të mitura që të dëshmonin kundër këtyre trafikantëve që faktikisht vrisnin shumë vajza, dhe kështu hyra në botën e tyre.” - thotë Lois Li.

Ajo thotë se shumë adoleshente që e gjejnë vehten në rrugë, kanë qenë viktima të abuzimit seksual në shtëpitë e tyre. Klientët e tyre vijnë nga fusha të ndryshme të jetës. Lois Li

"Ata janë puntorë, shoferë kamionësh, shitës, llogaritarë, policë, priftërinj, aktorë, avokatë - nuk dua të harroj asnjërin prej tyre. Një prej gjërave që i fut në kurth fëmijët për t’u përfshirë në prostitucion, është fakti se duket sikur të gjithë janë të përfshirë.”- tha Li.

Në qendrën e pritjes, ndërtuar nga shoqata Çildren of the Najt, në periferi të Los Anxhelosit, ish-prostitutat gjejnë siguri. Ato kanë gjithashtu një shans për të përfunduar shkollën. Sonia Ventura është drejtuese e shkollës në këtë strehë:

“Kur nxënësit vijnë këtu, ata nuk kanë besim në vehten e tyre. Ata nuk ndihen sikur mund t’i realizojnë gjërat. Dhe mendoj se është një arritje kur ata kryejnë diçka. Ata mund të përfundojnë një projekt shkencor, apo një esse për herë të parë në jetën e tyre. Shumë prej nxënësve kurrë nuk kanë shkruar një esse më parë, dhe kur e arrijnë këtë gjë, ata ndjejnë që ia dolën.” - tha Ventura.

Mbasi kalojnë disa kohë në strehë, disa prej fëmijëve kthehen në shtëpi. Të tjerë shkojnë në familjet që i adoptojnë, apo gjejnë apartamente më vehte. Disa të tjerë shkojnë në shkollë. Lois Li thotë se janë me qindra historitë e suksesit, por edhe ato tragjike nuk mungojnë.

“Shumë prej tyre janë mësues. Disa të tjerë punojnë si këshilltarë të marrëdhënieve me publikun. Disa janë martuar dhe kanë fëmijë, por disa të tjerë vdesin nga sida. Dhe për ne, është ndihmë por edhe keqardhje kur duhet të qëndrojmë pranë atyre që janë duke vdekur nga SIDA; ne i ndihmojmë të tjerët duke u dhënë libra apo duke i ndihmuar të kalojnë problemet e jetës së përditëshme.”- tha ajo.

Lois Li thotë se prostitucioni i fëmijëve është një njollë e pathënë e jetës amerikane, dhe shumë pak vëmendje po i kushtohet këtij problemi. Ajo thotë se të paktën, të rinjtë mund të gjejnë strehë në qendrën e saj, duke u larguar nga jeta e rrugës.//lk

XS
SM
MD
LG