Lidhje

Sejdiu: Presim konsensun në Këshillin e Sigurimit lidhur me propozimin e ndërmjetësit Ahtisari


Udhëheqës shqiptarë dhe serbë u dhanë fund sot bisedimeve një vjeçare mbi të ardhmen e Kosovës pa arritur një marrëveshje. Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisaari tha se të dyja palët nuk treguan vullnet për t'u larguar nga pozicionet e tyre të mëparshme mbi planin e hartuar nga Kombet e Bashkuara. Zyrtarët serbë e kundërshtojnë planin, i cili i ofron Kosovës vetëqeverisje dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Serbia thotë se plani shkel sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Ekipi shqiptar e ka pranuar planin, edhe pse ai nuk i jep drejtpërdrejtë pavarësinë që kanë kërkuar. Ndërmjetësi Ahtisaari ia paraqet planin e tij këtë muaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu u shpreh optimist për mundësinë e konsensunit në Këshillin e Sigurimit lidhur me propozimin e ndërmjetësit Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Zyra e ndërmjetësit Ahtisari ka thënë se propozimi i fundit që iu ofrua palëve në bisedime mund te jete një dokument përfundimtar që i paraqitet Këshillit të Sigurimit. Çfare do të bëhet më pas. A pritet të mbarojë procesi me paraqitjen e propozimit në Këshillin e Sigurimit?

Fatmir Sejdiu: Mund të them se vertetë sot ka qenë një debat i rëndësishëm që përmbyll këtë cikël bisedimesh për të ardhmen e Kosovës. Ne si delegacion i Kosovës kemi shprehur qëndrimet tona edhe kësaj radhe për të ardhmen e Kosovës, e cila duhet të jetë në përputhje me vullnetin politik të popullit të saj, pra pavarësia e Kosovës. (no audio). Unë mendoj se Këshilli i Sigurimit do të ketë parasysh propozimin e Presidentit Ahtisari, edhe si pako e përgjithshme edhe pjesën e rekomandimeve politike që ai do t’i përcjellë. Mendoj se është me interes të veçantë që kjo të shkojë në një rrjedhë normale dhe të jepet një përgjegje e shpejtë në kuptimin e vendimarrjes për të mbështetur këtë qëndrim dhe për të hapur proceset për perspektivën e re të Kosovës qoftë në aspektin e proceseve ekonomike, që janë shumë të rëndësishme por ashtu edhe në procesin e zhvillimeve të tjera demokratike duke pasur mundësinë që e drejtpërdrejtë që Kosova të hyjë në periudhën e zhvillimit të saj si shtet i pavarur dhe sovran, (no audio) dhe proceseve të tjera që janë pjesë e vizionit politik të Kosovës për rrugën e integrimeve euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Zoti Sejdiu, në vartësi edhe të votave që do të hidhen në Këshillin e Sigurimit, nëse Rusia vendos veton, cilat do të jenë hapat e mëtejshme në proces?

Fatmir Sejdiu: Ne presim që të ketë një konsensus të përbashkët të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, apo një qëndrim i cili do të reflektonte drejtpërdrejtë këtë punë të madhe që është bërë në këtë periudhë kaq të vështirë dhe kaq të gjatë të bisedimeve dhe në këtë drejtim besoj që edhe Rusia si anëtare e Grupit të Kontaktit në këtë proces të rëndësishëm do të ketë parasysh këtë vizion të një qasjeje të përbashkët me faktorët e tjerë ndërkombëtarë, apo me vendet e tjera, me të cilat ka qenë në një kompozicion apo në një udhëtim në ndërtimin e qëndrimeve të përgjithshme rreth bisedimeve, rreth të ardhmes së përgjithshme të rajonit. Për ne është shumë me rëndësi që të jemi në një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me bashkësinë ndërkombëtare (no audio).

Zëri i Amerikës: Autoritetet në Kosovë dhe një pjesë e konsiderueshme e popullatës shqiptare e kane pranuar planin. Megjithatë, edhe në Kosovë ka pasur kundërshtime ndaj propozimit, të cilat siç i pamë para pak kohësh kaluan në akte me dhunë,. Si do të angazhohen institucionet e Kosovës për të mos lejuar që gjendja të dalë jashtë kontrollit.

Fatmir Sejdiu: Shumë e vërtetë dhe ne e kemi thënë dhe e themi se ka zgjidhje të cilat vërtetë, janë zgjidhje që i quajmë pjesë e kompromiseve që delegacionet e Kosovës i kanë bërë dhe po kështu themi paralelisht se është e drejta e qytetarëve që të japin vizionin e tyre, apo të kundërshtojnë elemente të caktuara. Por, mund të themi se si tërësi Kosova mbështet këtë ndihmë ndërkombëtare që i është dhënë dhe se verdikti i saj themelor është pavarësia e Kosovës. Prandaj për ne është shumë e rëndësishme që në këtë periudhë të bëhen të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e stabilitetit të vendit dhe që është pjesë e kontributit të drejtpërdrejtë edhe të qytetarëve, por po ashtu është edhe kontribut i institucioneve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Pas diskutimit të propozimit fillon faza e gjatë dhe e vështirë e zbatimit të paketës. Sa te pergatitura jane institucionet per këtë fazë? A i ka kapacitetet qeveria e Prishtinës për të përballuar një sipërmarrje të tillë?

Fatmir Sejdiu: Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që të jemi një faktor i rëndësishëm në implementim të procesit që do të vijë pas nxjerrjes së formulës për statusin politik të Kosovës dhe po ashtu kemi dhënë garancitë tona se insitucionet e Kosovës do të angazhohen maksimalisht në të gjitha drejtimet që parasheh kjo pako. Po kështu mund të them që në Kosovë është e mirëpritur një prezencë civile ndërkombëtare dhe prezenca e trupave të Natos që do të ndihmojnë këto procese duke pasur parasysh edhe nevojën e përshpejtimit edhe të proceseve të tjera zhvillimore që kanë të bëjnë me përpjekjet integruese të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Serbët e Kosovës kane thene se nëse shpallet pavarësia e Kosovës, ata do të shpallin pavaresinë e tyre nga Kosova. A është në gjendje qeveria e Kosoves ta shmange nje akt te tillë, apo zonat serbe do te mbeten përgjegjësi e autoriteteve nderkombetare?

Fatmir Sejdiu: Për ne është me rëndësi ajo që thashë më herët, që të mbajmë stabilitetin e vendit dhe po kështu është shumë me rëndësi të kuptohet mesazhi ynë ofrues dhe integrues për të gjithë qytetarët, pra edhe të komuniteteve pakicë. Në këtë drejtim thërrasim edhe komunitetin pakicë serb që të jetë pjesë e veprimeve integrale për një jetë të përbashkët të të gjithë qytetarëve pra edhe një integrim të pakicave Kosovës, duke pasur parasysh po ashtu vizionin tonë të përbashkët për ecjen e Kosovës drejt vlerave demokratike. Po kështu mund të them se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë me prezencën e saj do të jetë faktor i rëndësishëm dhe i pakalueshëm në rritjen e besimit të të gjithë qytetarëve. Po kështu është me rëndësi për ne dhe ne çmojmë lart qëndrimin e Grupit të Kontaktit që janë edhe qëndrime njëkohësisht edhe të Kosovës se Kosova ka integritetin e saj dhe integriteti i saj nuk mund të cënohet. //ad//

XS
SM
MD
LG