Lidhje

Makinat fluturuese


Kompania e quajtur Aeronautika Urbane ka projektuar një lloj makine fluturuese për të cilën thotë se kur të hidhet në treg do t’i bëjë bllokimet e trafikut diçka që i përket së kaluarës.

E keni vështirë të gjeni parkim? Ky nuk do të jetë fare problem me makinat fluturuese. Një makinë të tillë mund ta porosisni për 6 milion dollarë, por thotë, Rafi Yoeli, themelues i kompanisë, mos prisni ta merrni atë shpejt.

“Përdorimi i tyre do të jetë kryesisht si makina shpëtimi, makina për ushtrinë, për policinë dhe më pak për individë privatë. Pra ky është një treg i kufizuar, i cili do të përdoret për shërbimet e urgjencës mjeksore, për ambulancat, zjarrfikëset e kështu me radhë. Treg i madh do të jetë edhe siguria kombëtare. Por revolucioni i dytë i kësaj teknologjie mund të vijë pas 30-40 vitesh kur të ulim çmimet e këtyre makinave, që njerëzit të mund t’i përballojnë”.

Në fillim Yoeli ndërtoi këtë makinë fluturuese të quajtur Kolibri. Që atëhere, ai ka projektuar 2 prototipe, njëra e quajtur X-Hawk dhe një model më të vogël të quajtur Mule. Ato janë më shumë helikopterë se sa makina.

“Ky është një helikopter, vetëm se në vend që të ketë një helikë të madhe, e kemi modifikuar paksa dhe e kemi shndërruar me dy helika të vogla që vendosen brenda trupit të avionit. Kjo makinë harxhon shumë karburant, ka një kapacitet më të madh se zakonisht, por përveç këtyre, ky është helikopter si të gjithë helikopterët e tjerë.”

X-Hawks zbret vertikalisht, dhe projektuesit thonë se ai do të mund të qëndrojë në ajër rreth 2 orë, mund të ngjitet rreth 36 metra dhe të fluturojë me shpejtësi 250 kilometra në orë. Me helika të mbyllura, X-Hawk mund të lëvizë pranë objekteve, duke u bërë kështu mjaft i manovrueshëm në zonat urbane ose terrenet e rrëshqitshme.

“Në rastet e ndonjë frenimi të fortë, X-Hawk jo vetëm që reagon në kohë, por mund t’a mbajë dhe ta shpëtojë njeriun drejpërdrejt nga dritarja.”

Kostot janë ende të papërcaktuara qartë. Ato fillojnë me 1.5 milion dollarë për projektin Mule dhe arrijnë deri në 6 milion për modelet më të mëdha ushtarake.

“Kur situatat ecin me shpejtësinë e minutave, X-Hawk mund të shpëtojë jetë njerëzish”.

Kompania Urban Aeronautics thotë se modelin X-Hawk mund ta shohim në treg pas afro 8 vjetësh./al/

XS
SM
MD
LG