Lidhje

SHBA: Prokurori i Përgjithshëm Gonzales në qendër të një stuhie politike


Një debat i fuqishëm politik ka shpërthyer ndërmjet Kongresit dhe administratës së Presidentit Bush lidhur me shkarkimin nga detyra të disa prokurorëve federalë vitin e kaluar. Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales pohoi dje se janë bërë gabime, por ai u është kundërvënë thirrjeve të disa demokratëve që të japë dorëheqjen.

Çështja thelbësore është shkarkimi nga Departamenti i Drejtësisë i 8 prokurorëve vitin e kaluar. Të tetë ata ishin prokurorë federalë, të ngarkuar me zbatimin e ligjit në një numër distriktesh federale në vend. Prokurorët emërohen për mandate 4-vjeçare nga Presidenti, zakonisht me rekomandimin e udhëheqësve politikë lokalë dhe mund të zëvendësohen në çdo kohë.

Demokratët në Kongres mendojnë se shkarkimi i prokurorëve u bë me motive politike dhe kanë kërkuar zhvillimin e seancave për të shqyrtuar këtë çështje. Dje, Senatori demokrat Çarls Shumer ritheksoi kërkesën që Prokurori i Përgjithshëm të japë dorëheqjen lidhur me këtë çështje: "Faktet e fundit provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka pasur një shkelje të pashembullt të besimit, ka pasur abuzim pushteti në Departamentin e Drejtësisë. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Prokurorët amerikanë veprojnë në distriktet e tyre dhe duhet të kenë mundësi të zbatojnë ligjin pa pasur asnjë frikë dhe pa ndërhyrje," tha Senatori Shumer.

Por zoti Gonzales la të kuptohej se nuk do të largohej nga Departamenti i Drejtësisë. Prokurori i Përgjithshëm i doli në mbrojtje vendimit për të shkarkuar 8 prokurorët vitin e kaluar, duke e cilësuar si hapin e duhur, por shprehu keqardhje që Kongresi nuk ishte informuar më parë për përfshirjen e Shtëpisë së Bardhë në këtë proces: "Pohoj se ka pasur gabime. Pranoj përgjegjësi dhe i zotohem popullit amerikan të zbuloj se ku pati gabime, të zbuloj personat përgjegjës dhe të realizoj përmirësime në mënyrë që gabimet që ndodhën në të kaluarën të mos përsëriten në të ardhmen."

Zoti Gonzales tha se kishte bllokuar një propozim të ish këshilltares së Shtëpisë së Bardhë për të shkarkuar 93 prokurorë federalë pak pasi Presidenti u rizgjodh për një mandat të dytë në vitin 2004. Prokurori i Përgjithshëm Gonzales pranoi dorëheqjen e ndihmësit të tij kryesor Kyle Sampson, i cili nuk kishte informuar zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë për diskutimet që kishte zhvilluar me këshilltaren e Shtëpisë së Bardhë Miers mbi çështjen e prokurorëve.

Vitin e kaluar Departamenti i Drejtësisë vendosi të shkarkojë nga detyra 8 prokurorë federalë me motivacionin për punë të dobët, por zoti Gonzales tha se nuk ishte i përfshirë në diskutimet lidhur me zëvendësimin e tyre. Shkarkimi i prokurorëve nga detyra është përcjellë me reagime të ashpra nga demokratët në Kongres, përfshirë kryetarin e Komisionit Juridik të Senatit, Patrik Lehi: Patrick "Sinqertisht, shprehet senatori Leahy, ky zhvillim më irriton dhe më zemëron së tepërmi. Për të do të ketë seanca me pyetje-përgjigje."

Edhe disa republikanë kanë shprehur shqetësim lidhur me çështjen. Ligjvënësi James Sensenbrenner, republikani më i lartë në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se Prokurori i Përgjithshëm Gonzales dhe Departamenti i Drejtësisë duhet të japin shpjegime për vendimet për shkarkim, ose përndryshe do të humbasin besimin e Kongresit.

Disa prokurorë të shkarkuar nga detyra kanë thënë se ishin nën presion nga ligjvënës republikanë për të përshpejtuar hetimet lidhur me akuzat për parregullsi nga ana e demokratëve në prag të zgjedhjeve të vitit të kaluar për Kongres.

XS
SM
MD
LG