Barna pa rekomandim, të rrezikeshme
Agjencia amerikane e ushqimeve dhe ilaçeve shpalli këto ditë një paralamërim për rrezikun që sjellin tre prej barnave më të rekomanduara nga mjekët për trajtimin e anemisë tek shumë pacientë me kancer të cilët i nënshtrohen kimoterapisë, si dhe tek pacientët me sëmundje të rëndë në veshka.
Miliona pacientë me kancer dhe ata të prekur të rëndë në veshka trajtohen me barnat Procrit, Epogen dhe Aranesp. Por agjencia federale e ushqimeve dhe ilaçeve bën të ditur se këto ilaçe janë të rrezikëshme, madje edhe vdekjeprurëse kur përdoren në doza më të larta sesa ato të miratuara nga ekspertët.
Doktor Bruce Chabner, drejtor i spitalit të përgjithshëm në Masaçusets, thotë se studimet kanë nxjerrë se këto ilaçe kur përdoren në doza të larta e në rrethana të ndryshme, mund të shkaktojnë pasoja apo efekte të rënda anësore.
Madje edhe në doza normale, këto barna shtojnë rrezikun e vdekjes kur u jepen personave që nuk u rekomandohen, siç është rasti i pacentëve me kancer, por që nuk trajtohen me kimoterapi. Ekspertët shpetësohen pasi rekomandimi i këtyre barnave nga mjekët është bërë një praktikë e zakonëshme.
Një studim i botuar kohët e fundit, përllogarit se mjekët japin rreth 150 milionë receta në vit për Procrit, Epogen dhe Aranesp për pacientët me kancer por që nuk i nënshtrohen kimoterapitë, pra që nuk kanë nevojë për ilaçe të tilla.
Ligjvënësi Henri Uaksmen thotë se shqetësimi i agjencisë federale dhe masat kundër përdorimit të panevojshëm të këtyre ilaçeve përbëjnë një paralajmërim dhe kundër ilaçeve të tjera që përdoren në raste të panevojëshme, që krijojnë efekte të rënda anësore dhe që nuk janë miratuar për të trajtuar një sëmundje përkatëse.
Përdorimi i barnave Procrit, Epogen dhe Aranesp në mbarë botën u sjellin firmave farmarceutike fitime prej 10 miliardë dollarësh në vit. Ndërsa Pokriti reklamohet fuqishëm për pacientët e kancerit. Në reklama thuhet se pacienti me kancer u trajtua me kimoterapi që shkaktoi aneminë. Prandaj kërkoi nga mjeku ilaçin Procrit.
Por agjencia federale e ilaçeve thotë se nuk ka prova të tregojnë se këto ilaçe përmirësojnë cilësinë e jetës së pacientit me kancer që trajtohet më kimoterapi. Me kërkesën e kësaj agjencie, firma Xhonson & Xhonson, e cila tregton Prokritin, i ka ndërprerë reklamat e këtij ilaçi.
Spiralja e Arkimedit me vlera hipnoterapike
Kjo është një lodër për të rritur. Një pllakë dhe në të një rreth spiral. Kur shikohet me vemendje për disa sekonda dhe pastaj shikimi hidhet në një sipërfaqe tjetër, për shembull në dorë, krijohet iluzioni sikur lëkura e dorës lëviz në formën e spiralit, pra krijohet shëmbëlltyra e origjinalit.
Eshtë e tepërt të thuhet se një spirale e tillë u zbulua nga Arkimedi 350 vjet para erës sonë. Sipas gojëdhënës, shkencëtari i lashtë grek i kishte ngulur shikimin në një ujëvarë dhe kur sytë i hodhi në tjetër drejtim, për një moment pa një imazh të ngjashëm. Ky zbulim më pas gjeti përdorim të gjërë në praktikë, por emri i mbeti; Spirale e Arkimedit.
Shkencëtarët besojnë se kjo paisje-lodër, që ka dalë në shitje në Shtetet e Bashkuara, mund të përdoret si mjet qetësues, shlodhës. Në fakt ajo ka filluar të përdoret nga disa neurologë gjatë seancave të hipnoterapisë me pacientët e tyre.