Lidhje

Ndërkombëtarët shprehin keqardhje për zgjedhjet në Shijak


Ashtu siç dhe ishte e pritshme, as zgjedhjet e pjesshme parlamentare të së dielës në Shijak, sikundër dhe ato të gati një muaji më parë për pushtetin vendor, nuk mund të merrnin një vlerësim pozitiv nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar.

Klima e ashpër e konfliktit ka bërë që ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, OSBE-së, Komisionit Europian, Gjermanisë dhe Italisë të shprehen sot me keqardhje për atë që e kanë përkufizuar si një atmosferë të trazuar dhe të tensionuar, në të cilën u mbajtjën votimet në Shijak.

Përfaqësuesit më në zë të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri me anë të një deklarata kanë nënvizuar sot se "e drejta e qytetarëve për të votuar lirisht është një element thelbësor i demokracive, dhe është përgjegjësia e të gjithë forcave politike ta mbrojnë dhe ta mbështesin këtë të drejtë".

Por ata nuk e quajnë të pranueshëm vendimin e tërheqjes nga gara të opozitës. "Bojkotimi dhe pengimi i mbajtjes së zgjedhjeve të mandatuara ligjërisht nuk përputhet me vlerat demokratike euroatlantike".

Sipas përfaqësuesve ndërkombëtarë ka rrugë të tjera për të reaguar. Shqetësimet lidhur me përgatitjet e zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjet mbi procedurat duhet t'i drejtohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në përputhje më ligjin shqiptar, theksojnë ata.

Pas zhgënjimit për zgjedhjet e 18 shkurtit të cilësuara si një shans i humbur për Shqipërinë, dhe një situate akoma më problematike që pasoi procesin, e pas asaj që ndodhi së fundi edhe në Shijak ambasadorët kanë ripërsëritur thirrjen drejtuar qeverisë dhe të gjitha partive politike të fillojnë tani punën për reformën zgjedhore për të cilën , ata konstatojnë se ka nevojë kaq urgjente.

Socialistët reaguan menjëherë ndaj deklaratës duke përshëndetur mesazhet e dhëna nga ndërkombëtarët e duke përsëritur akuzat se qeveria ka thelluar atentatin ndaj demokracisë duke kaluar sipas tyre çdo cak me atë që e quajnë një proces të turpshëm e tragjikomik te zhvillimit të zgjedhjeve në Shijak. Ndërkohë që akuza të njejta ka bërë edhe shumica ndaj tyre.

Përtej lojrave politike të partive shqiptare, në përfundim, i humbur edhe një herë ka dalë vendi dhe imazhi i tij, si i vetmi shtet europian jashtë BE që kërkon t'i bashkohet këtij komuniteti por që nuk arrin dot të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. //ze//

XS
SM
MD
LG