Lidhje

Firma Hallibërton zhvendoset në Emiratet e Bashkuara Arabe


Firma Hallibërton, një kompani amerikane shërbimesh në fushën e naftës dhe kontraktuesja më e madhe private në Irak, po i zhvendos zyrat e saj qëndrore nga Houstoni i Teksasit, për në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Drejtori i kësaj firme thotë se kjo lëvizje bëhet për arsye praktike, por kritikët thonë se arsyeja është etja për fitime.

Vitin e kaluar, të ardhurat nga shërbimet e naftës në mbarë botën, të kryera nga firma Halliburton në Hemisferën Lindore, ishin 38 përqind, ose 13 miliardë dollarë. Shefi Ekzekutiv i kësaj kompanie, David Lezar thotë se shtimi i biznesit në një rajon ku ndodhet shumica e naftës së botës, do të balancojë veprimtarinë e përgjithëshme të Halliburtonit.

Në një intervistë 3 vjet më parë, zoti Lezar foli edhe rreth kësaj veprimtarie, ku kompania e tij kryente punime për hapjen e një rruge në Irlandë, administronte një hekurudhë në Australi ose merrej me ndërtimin e anijeve në Brazil.

Firma Hallibërton ka një kontratë shërbimesh 5 vjeçare me ushtrinë amerikane, me një vlerë prej 16 miliardë dollarësh. Por rreth korporatës po kryehen hetime, nën akuzat se i ka dërguar qeverisë fatura pagesash prej afro 3 miliardë dollarësh për shërbime që nuk i ka kryer.

Hallibërton i hedh poshtë këto akuza, por demokratët në Kongres po e shqyrtojnë çështjen. Ligjvënësi Henri Uaksemn nga Kalifornia thotë se Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve ka detyrim ndaj taksapaguesve, për të siguruar që çdo dollar shpenzohet me vend dhe nuk shpërdorohet.

Edhe senatori Brian Dorgan, demokrat nga Dakota e Veriut, dyshon se zhvendosja e zyrave të korporatës Hallibërton nga Teksasi për në Dubai, bëhet për të shmangur taksat amerikane. Senatori Dorgan thotë se nëse ky veprim i Hallibërtonit bëhet për të kursyer para nga taksat në vend, atëherë kjo firmë që ka përfituar nga kontratat në fushën e mbrojtjes, nuk jep një shembull të mirë.

Por drejtuesit thonë se firma Hallibërton do të vazhdojë të jetë e regjistruar si kompani amerikane dhe do të jetë e detyruar të paguajë taksa. Profesoresha Kathlin Gec pranë universitetit Amerikan, thotë se përderisa Hallibërton është një kompani nafte, është e logjikëshme që ajo të ndodhet në Lindjen e Mesme, ku është edhe shumica e burimeve të naftës.

Pyetje po bëhen edhe nëse një kompanie me qëndër jashtë vendit mund t’i besohen shërbime për ushtrinë amerikane. Firma Hallibërton drejtohej nga Dik Çeni, para se ai të bëhej nënpresident. Lidhjet e zotit Çeni me këtë firmë, çuan në akuza se për këtë arsye, administrata e presidentit Bush i dha Hallibërtonit kontrata fitimprurëse. Shtëpia e Bardhë i hedh poshtë këto akuza.//lk

XS
SM
MD
LG