Lidhje

Gejts i shqetësuar për konkurrencën amerikane në tregjet botërore


Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Mikrosoftit, Bill Gates foli kohët e fundit para një komisioni të Senatit amerikan që merret me çështjet e punësimit dhe edukimin. Ashtu si edhe senatorët, ai shprehu shqetësimin e tij të thellë rreth gjendjes së konkurrencës ekonomike amerikane në tregjet e huaja.

Themeluesi i Mikrosoftit dhe miliarderi Bill Gates po i bën thirrje qeverisë amerikane t’u japë fund kufizimeve për numrin e shtetasve huaj me aftësi të larta profesionale që kërkojnë të punojnë në Shtetet e Bashkuara. Ai po i bën gjithashtu thirrje kongresit amerikan të investojë më shumë në të ardhmen e vendit, si në arsim edhe në tregun e punës.“Kur shoh gjendjen e konkurrencës amerikane, ndjenja e krenarisë më përzihet me një ankth të thellë. Duket se jemi të kënaqur me investimet që kanë bërë vetëm brezat e mëparshëm”. Gates thotë se midis shteteve të industrializuara, Amerika është ndër vendet me numrin më të ulët për frymë të atyre që mbarojnë shkollat e mesme. Ai citoi një studim që thotë se rreth 30 përqind e nxënësve që janë në klasën e nëntë, nuk e përfundojnë shkollën në kohë.

Punëdhënësit, thotë Gates, shpesh ankohen se të diplomuarit nga shkollat e mesme nuk kanë aftësitë as për punët me kualifikimin më të ulët. “Shtetet e Bashkuara nuk mund ta ruajnë rolin udhëheqës ekonomik po qe se forca jonë e punës nuk përbëhet nga njerëz që kanë njohuritë dhe aftësitë për novacione”. Gates përmendi testet ndërkombëtare që i radhisin nxënësit amerikanë të klasave të katërta midis më të mirëve në botë në shkencë dhe mbi mesataren në matematikë. Ai thotë se në klasën e tetë ata i gjen më pranë mesatares ndërsa në klasën e 12-të, nxënësit amerikanë janë në fund krahasuar me vendet e tjera të industrializuara.

Gates thotë se politikat amerikane të imigracionit nuk po lejojnë hyrjen në vend të njerëzve të talentuar nga bota pikërisht kur ata nevojiten më shumë. Ai shtoi se politikat e tanishme janë më shumë se 15 vjet prapa dhe lejojnë vetëm 65 mijë viza në vit për njerëzit me aftësi të larta profesionale. “Sot jetojmë në një ekonomi të ndryshme, dhe nuk ka kuptim tu mbyllim dyert individëve të kualifikuar dhe të aftë, shumë prej të cilëve janë të edukuar në universitetet tona më të mira”. Ai tha se koha e pritjes për të marrë një green card zgjat zakonisht pesë vjet ndërsa për shkencëtarët dhe inxhinierët edhe më shumë sidomos kur ata janë nga vende si India dhe Kina.

Gates shtoi se financimet e kufizuara federale për studime mund të dekurajojnë të huajt e kualifikuar që kërkojnë të punojnë në Shtetet e Bashkuara. “Ndërkohë që vende dhe rajone të tjera si Kina dhe Bashkimi Evropian po shtojnë investimet publike për studime shkencore, shpenzimet federale për kërkime në Shtetet e Bashkuara nuk kanë të njëjtin ritëm”, tha zoti Gates. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë mundësinë të rrisin aftësitë konkurruese duke bashkuar përpjekjet në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të industrive si dhe duke shtuar interesimin e studentëve për shkencën dhe matematikën. //rd//

XS
SM
MD
LG