Zyrtarët e Bashkimit Evropian po shprehin shqetësim lidhur me dështimin e vazhdueshëm të udhëheqësve kryesorë të Bosnjes për të rënë dakort për reformat e nevojshme që duhet të kryejë vendi në rrugën e forcimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian në Sarajevë tha se, Bosnje Hercegovina duhet të përshpejtojë reformat. Komentet e tij bëhen një ditë, pasi udhëheqësit kryesorë të dy njësive të federatës boshnjake përsëri nuk arritën të binin dakort për krijimin e një force të përbashkët policore për gjithë vendin.
Çështja e reformës së policisë, pritet të jetë një prej temave kryesore të diskutimeve me komisionerin evropian për zgjerimin Oli Rehn që shkon sonte në Sarajevë. Në bazë të marrëveshjeve të Dejtonit të vitit 1995, Bosnje Hercegovina është ndarë në Federatën Myslimano-Kroate dhe në Republikën Serbe, ku secila prej tyre ka qeverinë dhe forcat e veta policore.
Udhëheqësit e Republikës Serbe të Bosnjes, e kundërshtojnë me forcë idenë e një force të vetme policore, duke thënë se një forcë e tillë do të minonte egzistencën e republikës së tyre.//lk