Lidhje

Pentagon: Tremujori i fundit 2006 më i dhunshmi në Irak


Në raportin që u lëshua dje thuhet se gjatë tre muajve të fundit të vitit 2006, në Irak ka patur rreth 900 sulme në javë dhe ndërsa shumica e tyre ishin të drejtuara kundër forcave të koalicionit, shumica e viktimave ishin në radhët e popullatës civile.

Në raport thuhet se rreth 95 civilë irakianë u vranë ose u plagosën çdo javë gjatë asaj periudhe, si dhe rreth 30 anëtarë të forcave irakiane të sigurimit dhe 20 trupa të koalicionit. Raporti vë në dukje gjithashtu se niveli i dhunës ishte edhe më i lartë në muain janar të këtij viti dhe në gjysmën e parë të shkurtit, që nuk janë pjesë e periudhës që mbulon raporti, ku thuhet se numri i sulmeve u ngrit në 1000 në javë këtë vit dhe numri i viktimave mes popullatës civile irakiane u ngrit në 99 në javë.

Raporti tremujor vë në dukje se pjesa më e madhe e veprimeve me dhunë ndodhën në Bagdad dhe në tre provincat afër tij, Dijala, al-Anbar dhe Salah al-Din. Raporti thekson se plani i ri i sigurimit për Bagdadin sapo është vënë në zbatim dhe se kontrolli i dhunës në kryeqytet është veçanërisht i rëndësishëm pasi çfardo që ndodh atje ndikon në veprimet me dhunë gjetkë në vend dhe ka një ndikim të madh në opinionin publik.

Raporti e quan Bagdadin "qendrën e gravitetit të Irakut”. Në një intervistë me kanalin televiziv të Pentagonit të martën, Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, tha se vënia nën kontroll e gjendjes së sigurisë në Irak është përparësia e tij kryesore.

"Është me shumë rëndësi që ne të përpilojmë një strategji për ta bërë Irakun një vend më të mirë, të aftë për t’u vetëmbrojtur dhe për t’u mbështetur në burimet tij, që të bëhet aleati ynë në luftën kundër terrorit. Duket qartë se debati në Uashington për këtë çështje është i ashpër, por për mendimin tim gjithkush është dakord se ne nuk mund ta lëmë Irakun në kaos, ku njerëzit të luftojnë me njeri tjetrin. Prandaj, vendosja e sigurisë në vend është përparësia ime kryesore”.

Raporti tremujor i Pentagonit, që kërkohet nga Kongresi, shpjegon se disa elemente të gjendjes së Irak mund të përshkruhen si pjesë të luftës civile. Kjo është një deklaratë e re e Pentagonit. Raporti i vë theksin acarimit të ndarjeve sektare, mobilizimit të forcave sektare dhe zhvendosjes të një numri të madh njerëzish.

Në raport thuher se “grupet e armatosura ilegale janë angazhuar në një cikël dhune sektare të motivuar politikisht”. Por raporti përsërit gjithashtu atë që është thënë në raportin e mëparshëm se gjendja në Irak është shumë komplekse për t’u përshkruar vetëm si “luftë civile”. Raporti i mëparshëm shkruante gjithashtu se kushtet ekzistuese në Irak mund të çonin në luftë civile, por karakterizimi i gjendjes si luftë civile nuk i ndihmon përpjekjet e qeverisë për pajtimin kombëtar.

Raporti i Pentagonit shkuan se mbështetja nga Irani i grupeve shiite e intensifikon konfliktin në Irak. Ai thotë se mbështetja iraniane përfshin “furnizimin me armë vdekjeprurëse, stërvitje, mbështetje financiare dhe teknike” të grupeve kryengritësve si dhe bomba të fuqishme që përdoren për t’u vënë anës rrugëve. Por raporti nuk thotë se zyrtarë të lartë iranianë janë të angazhuar në këtë aktivitet, siç thanë zyrtarët ushtarakë në Bagdad muajin e kaluar.

Raporti thotë gjithashtu se Siria është bërë porta kryesore nga ku hynë në Irak luftëtarët e huaj”. Sekretari Gejts tha në kanalin televiziv të Pentagonit se disa dhjetra luftëtarë të huaj hynë çdo muaj nga Siria në Irak dhe shumica e tyre janë atentatorë vetvrasës, që vënë në shënjestër civilët irakianë.

Raporti i Pentagonit thotë gjithashtu se Siria “është një çerdhe organizimi dhe bashkërendimi e eksponentëve të ish regjimit irakian” dhe se Siria u garanton “strehim, kalim të sigurt dhe një farë mbështetje logjistike disa grupe kryengritësish”. Zyrtarë si nga Siria ashtu edhe Irani ndoqën një takim të shtunën e kaluar në Bagdad, qëllimi i të cilit ishte që t’i bindëte qeveritë e këtyre vendeve të ndalonin mbështetjen e dhunës në Irak. (kh)

XS
SM
MD
LG