Lidhje

Rusia bëri thirrje për vazhdimin e negociatave Prishtinë-Beograd


Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin përsëriti qendrimin e Rusisë se Këshilli i Sigurimit nuk mund të imponojë një zgjidhje për statusin e Kosovës ndërkohë që nuk ka një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zoti Çurkin u largua para kohe nga salla e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit dhe në komentet që bëri për gazetarët kritikoi ashpër raportin e paraqitur nga kryeadministratori i Kosovës Joakim Ryker, një raport periodik mbi përmbushjen e standardeve të caktuara nga komuniteti ndërkombëtar.

Ambasadori rus e quajti raportin të njëanshëm.

"Në vend që të diskutojë mbi standardet, raporti bëhet avokat i pavarësisë. Zoti Ryker veçoi vetëm një parim në raportin e tij, parimin se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës, por, shtoi diplomati rus, pjesë e popullatës janë edhe pakicat në Kosovë ndërkohë që zbatimi i standardeve le shumë për të dëshiruar".

Përfaqësuesi rus në Kombet e Bashkuara tha se Rusia është gjithashtu kundër zvarritjeve dhe shtyrjeve të procesit për statusin por bëri thirrje për vazhdimin e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit. Megjithëse bisedimet e Vjenës përfunduan pa sukses, tha ai, në to pati elementë interesantë. Zoti Çurkin tha se për të është e paimagjinueshme se si Këshilli i Sigurimit mund të imponojë një zgjidhje kur palët nuk janë dakord. “Të parashikosh pashmangshmërinë dhe nevojën absolute për një zgjidhje të menjëhershme, kjo është e padobishme”, tha ambasadori rus.

I pyetur nëse Rusia do t’i vinte veton propozimit të Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit, zoti Çurkin tha:

“Vetoja është një fjalë tepër e madhe dhe nuk dua ta përmend para se ne të shkojmë për të votuar në Këshillin e Sigurimit", tha ambasadori rus.

Në komentet që bëri për gazetarët, shefi i UNMIK-ut, Joahim Ryker, i cili në sesionin me dyer të mbyllura shoqërohej nga Presidenti Fatmir Sejdiu, hodhi poshtë kritikat se gjendja e zbatimit të standardeve në Kosovë le për të dëshiruar.

"Përshtypja jonë, tha zoti Ruker, është se incidentet e izoluara që ndodhin në Kosovë paraqiten në mënyrë të shtrembëruar. Megjithatë, tha ai, është me rëndësi të vihet në dukje se paketa e zotit Ahtisari është pritur mirë në Kosovë".

Në përgjigje të kritikave të zotit Çurkin se shefi i UNMIK-ut kishte diskutuar në sesion mbi pashmangshmërinë e pavarësisë, zoti Ryker nguli këmbë se ai nuk kishte dalë jashtë mandatit të vet.

“Nuk përshkrova natyrën e statusit, por perceptimin që ekziston në terren se komuniteti ndërkombëtar është jo vetëm i aftë por edhe i gatshëm që ta përfundojë këtë proces në kohë”, tha zoti Ryker.

Nga ana e tij, përfaqësuesi amerikan në Kombet e Bashkuara, Alehandro Wolf, tha se raporti i zotit Ryker ishte i balancuar dhe objektiv. Ai tha se kishte arritur në përfundime të ndryshme për këtë raport me përfaqësuesin rus.

I pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me sugjerimin rus për vazhdimin e bisedimeve, zëdhënësi i UNOSEK-ut, Remi Durlo tha se procesi i bisedimeve të Vjenës është ezauruar dhe se komentet e zotit Çurkin në Nju Jork ishin thjesht përsëritje e atyre që zyrtarët rusë kanë thënë edhe më parë. //ze//

XS
SM
MD
LG