Lidhje

Terminal i ri në Aeroportin Nënë Tereza


Aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza" organizoi sot fluturimin e parë të udhëtarëve nga terminali i ri. Terminali ka një kapacitet teorik të pritjes mbi 1 milionë udhëtarë në vit, dhe u punua prej një viti e gjysëm deri në përurimin e sotëm.

Drejtori ekzekutiv i aeroportit, Konstandin von Albensleben, thotë se gjithë njerëzit e kompanisë janë të emocionuar dhe krenarë për këtë përurim të aeroportit në Tiranë me një fluturim të parë. Ai thotë se "Kjo ngjarje shënon një periudhë të re për këtë aeroport, por edhe për gjithë vendin, që ka tani një shërbim të ri dhe modern, një aeroport me standarte të reja të sigurisë". Në ceremonitë përurese morën pjesë përfaqësuesit e qeverisë dhe të politikës.

Në ndërtesën e re niveli i komoditetit është shumë i lartë. Terminali i ri është 4 herë më i madh se aeroporti ekzistues, i cili tani do të përdoret vetëm për zyrat. "Programi ynë i investimit përshin edhe rritjen në të ardhmen të udhëtimeve të njerëzve dhe mallrave. është planifikuar një zgjerim deri në 2009 i terminalit të udhëtarëve dhe të bagazheve. Udhëtimet po shtohen fuqishëm nga 10- 20 për qind cdo vit dhe kjo do të kërkojë zgjerim të mëtejshëm".

Rreth e rrotull aeroportit kompania ka ndërtuar shumë vepra modernizuese të dobishme edhe për komunitetin e banorëve, si rrugë, disa ura, shkolla, si edhe rrjetin e ujit të pijshëmdhe atë të energjisë elektrike. "Kompania ka gjithashtu edhe përgjegjësi sociale, jo vetëm për punësimin, por edhe për marrëdhëniet me komunat fqinje të aeroportit. Ne rindërtuam shkollën e Rinasit, dhe kemi hartuar një plan për zhvillimin e turizmit në këtë zonë" - thotë zoti Alvensleben.

Qindra punëtorë, specialistë e inxhinerë dhe makineri të rënda realizuan një projekt të vështirë. "Bashkëpunimi i inxhinerëve gjermanë me kompanitë shqiptare të ndërtimit - thotë dr. Alvensleben - ka qenë tepër i ngushtë si në ndërtimin e terminalit të udhëtarëve, ashtu edhe në atë të bagazheve. prova e këtij bashkëpunimi është pikërisht objekti i përfunduar brenda dy vjetësh, që është një ndërtesë e vështirë dhe e vecantë me struktura hekuri dhe xhami".

Terminali u projektua 3 vjet më parë pas një tenderi ndërkombëtar dhe pasi u dha me koncension nga qeveria shqiptare, dhe në terren ai u ndërtua për afro 1 vit e gjysëm, duke zbatuar standartet më të fundit ndërkombëtare të sigurisë dhe të cilësisë së shrbimit ndaj udhëtarëve.

XS
SM
MD
LG