Lidhje

22 marsi - Dita Botërore e Ujit


Zgjidhja e problemit të pakësimit të ujit është këtë vit tema e Ditës Botërore të Ujit. Në këtë ditë ndërmerren veprimtari të koordinuara nga Kombet e Bashkuara me shumë organizata jo-qeveritare për të tërhequr vëmendjen ndaj më shumë se 1 miliardë njerëzve në mbarë botën që kanë mungesë të ujit të pijshëm.

Shumë besime fetare në botë e konsiderojnë ujin të shenjtë, të lidhur me rilindjen, pastërtinë dhe kthjellësinë. Dhe me të drejtë. E gjithë jeta siç e dimë bazohet tek uji. Ai mbulon tre të katërtën e planetit tonë, por nga kjo sasi, vetëm një e katërta e një përqindëshit është pa kripë, dhe e mundur për t’u përdorur në çdo kohë.

Shumë njerëz e kanë atë me bollëk, por nuk është kështu për miliona të tjerë. 40 përqind e popullatës së botës nuk ka impjante për pastrimin e ujit. Joakim Harlin i Programit të Zhvillimit në Kombet e Bashkuara: "Kriza ka filluar. Sot kemi rreth 2 milion fëmijë çdo vit që vdesin si pasojë e krizës së ujit. Ky është një numër i madh që do të thotë rreth 5 mijë vdekje në ditë".

Kombet e Bashkuara e përdorin Ditën Botërore të Ujit për t’i ndërgjegjësuar më shumë njerëzit rreth mungesës globale të tij – problem që po keqësohet.

Në vitin 2000, Kombet e Bashkuara vendosën si objektiv përgjysmimin e zonave pa ujë të pijshëm deri në vitin 2015. Këtë vit më shumë se 1 miliardë njerëz të tjerë kanë tani ujë të pastërt. Por 1 presje 1 miliardë njerëz janë ende pa ujë të pastër dhe më shumë se 2 miliardë e 500 milion njerëz nuk kanë impiante për pastrimin e tij.

Megjithatë Joakim Harlin i OKB-së thotë se objektivi mund të realizohet. "Do të duhen edhe rreth 40 miliardë dollarë për ndërtimin e rrjeteve por është një objektiv i arritshëm. Është sa vetëm një muaj harxhim i ujit me shishe në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë". Harlin thotë se çelësi i suksesit është që të gjithë, komunitetet, organizata dhe qeveritë e të gjitha niveleve të marrin masa për përballimin e sfidës së ujit përmes bashkëpunimit, koordinimit dhe veprimeve të besueshme. Ai thotë se kostoja e të ndënjurit duke mos bërë asgjë çon në vdekjen e 2 milion fëmijëve në vit. //rd//

XS
SM
MD
LG