Lidhje

Kina vazhdon të shtojë me ritme të larta shpenzimet ushtarake


Shefi i shtatmadhorisë amerikane Piter Pejs arriti në Pekin për bisedime mbi shtimin e marrëdhënieve me ushtrinë kineze. Gjenerali Pejs u takua me homologun e tij kinez, gjeneralin Liang Guang-LJE. Para takimit, gjenerali amerikan tha se shpreson që të dy vendet të shtojnë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e përbashkët. Zoti Liang nga ana e tij tha se dëshiron shtimin e shkëmbimeve ushtarake me Shtetet e Bashkuara. Pejs do të takohet edhe me ministrin kinez të mbrojtjes. Agjencia kineze e lajmeve Hsinhua bëri të ditur sot se ende ekzistojnë pengesa për përmirësimin e marrëdhënieve ushtarake me Uashingtonin, përfshirë edhe planet amerikane për t'i shitur Taivanit 400 raketa. Kohët e fundit Kina bëri të njohur se do t'i shtojë shpenzimet e këtij viti për mbrojtjen me një ritëm shumë më të lartë, gjë që i ka rritur shqetësimet në Shtetet e Bashkuara lidhur me synimet ushtarake të saj.

Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës ka përshkuar një rrugë të gjatë që nga koha e krijimit si ushtri revolucionare për luftra guerilje. Për më tepër se një dekadë, ushtria kineze i ka shumëfishuar shpenzimet, ndërkohë që Pekini përpiqet të ngushtojë hendekun në aspektin ushtarak me vende të tjera të mëdha.

Këtë vit, Pekini bëri të njohur edhe një tjetër rritje të madhe prej 17,8 për qind, apo 45 miliardë dollarë shpenzime për ushtrinë.

Në një sesion të parlamentit këtë muaj, kryeministri Uen Gjia-bao tha se shtimi i fondeve do të ndihmojë në transformimin më të shpejtë të forcave të armatosura të Kinës, në një ushtri me teknologji të lartë. "Duhet të vazhdojmë të shtojmë aftësitë ushtarake për një luftë mbrojtëse dhe të teknologjisë së lartë."

Disa ditë pas shpalljes nga Pekini të kësaj politike, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates shprehu shqetësim për atë që ai e cilësoi mungesë transparenece të Kinës lidhur me synimet dhe shpenzimet e saj ushtarake. "Mendoj se një transparencë më e madhe nga ana e Kinës do të ndihmonte për të ditur se çfarë po bëjnë ata dhe cilat janë strategjitë e tyre për modernizimin e këtyre forcave, pra më tepër transparencë për synimet e tyre."

Zyrtarët amerikanë ankohen se zyrtarët kinezë të mbrojtjes nuk shkëmbejnë me ta informacione mbi vendimet që merren për ushtrinë. Departamenti amerikan i Mbrojtjes thotë se Kina ka drejtuar të paktën 710 raketa me rreze të shkurtër veprimi drejt Tajvanit, të cilin Pekini e konsideron si territorin e vet. Kina nuk ka dhënë hollësi se sa raketa ka dislokuar, dhe as nuk tregon se sa e ka buxhetin ushtarak.

Pentagoni vlerëson se buxheti ushtarak zyrtar i Kinës është dy, ose tre herë më i vogël se sa shpenzimet reale.

Zyrtarët kinezë thonë se buxheti ushtarak i vendit përbën një fraksion të vogël, krahasuar me buxhetin amerikan të mbrojtes. Administrata e Persidentit Bush ka propozuar mbi 700 miliardë dollarë për shpenzimet ushtarake të vitit 2008.

Megjithatë, shpenzimet ushtarake të Kinës janë rritur mesatarisht 15 për qind në vit, duke e tejkaluar së tepërmi rritjen e prodhimit të brendshëm prej 9 për qind.

Kina vazhdon të importojë sisteme raketash, kryesisht nga Rusia. Por studiuesi Huang Gjing i Institutit Brookings në Uashington thotë se Pekini tani po përqëndrohet në perfeksionimin e mëtejshëm të armëve. "Ndryshe nga vitet 1997, 1998, 99 dhe 2000, kur Kina bleu shumë armatime, avionë dhe anije nga ish-Bashkimi Sovjetik, gjatë 3 vjetëve të fundit, nuk e ka bërë më këtë. Pra ku shkojnë tani fondet? Me sa duket, ato po përdoren për kërkime dhe për prodhimin e armëve të reja, moderne."

Në muajin janar, Kina demonstroi aftësitë e saj ushtarake në rritje, duke goditur me raketë njërin prej satelitëve të vet meteorologjikë. Kjo u bë shkak për kritika në Washington, i cili i përdor gjerësisht satelitët për synime ushtarake dhe komerciale.

Udhëheqësit kinezë kanë premtuar se do ta përdorin fuqinë e tyre ushtarake vetëm për “operacione mbrojtjeje”. Zyrtarët amerikanë po përpiqen të sigurojnë më tepër kontakte ushtarake me Kinën, për të shmangur ndonjë “keqkuptim” në rajon. //ii

XS
SM
MD
LG