Lidhje

Qeveria e Shqipërisë miraton kontratë me shoqërinë italiane Essegei


Në Shqipëri, qeveria miratoi sot një kontratë me shoqërinë italiane Essegei për rehabilitimin e 25 hidrocentralëve të vegjël të shpërndarë në të gjithë vendin.

Në të vërtetë bëhet fjalë për ndryshim të një marrëveshjeje koncesionare të nënshkruar që në vitin 2002 nga qeveria e mëparshme, por që deri tani thuajse nuk ishte zbatuar. Madje sipas një raporti të Avokatit të Popullit kompania italiane kishte shkelur haptazi marrvëshjen, duke mos realizuar investimet e parashikuara.

Kryeministri Sali Berisha tha sot se faza e rinegocimit të kontratës solli rezultate të rëndësishme, edhe sepse bëhet fjalë për një grup të ri italian që ka blerë kompaninë. Sipas Kryeministrit, nëse fuqia e prodhimit më parë ishte parashikuar në afër 38 milion kilovat orë në vit tani kompania merr përsipër ta ngrejë atë në 65 milion. Po ashtu edhe vlera e investimit e parashikuar në 8 milion dollarë do të rritet duke shkuar ne afer 11 milion.

Rishikimi i kontratës është bërë sipas ligjit të ri për koncesionet të miratuar nga qeveria shqiptare e cila javën e shkuar vendosi të japë me koncesion ndërtimin e 17 hidrocentraleve të vegjël në të gjithë vendin me një fuqi prodhuese deri në 10 milion kilovat orë në ditë.

Kryeministri Berisha i bëri thirrje sot sipërmarrjes vendase dhe të huaj që të investojë në këtë sektor, duke kërkuar njëkohësisht dhe nga bankat që të kreditojnë burimet energjitike. Aktualisht burimet ujore të Shqipërisë janë të shfrytëzuar vetëm në një të tretën e kapacitetit të tyre dhe sipas ekspertëve ato ofrojnë mundësi investimi për deri 1.6 miliard euro. //ii

XS
SM
MD
LG