Lidhje

Arben Imami shpall kandidaturën për në sekretariatin e PD-së


Në Shqipëri, ka nisur fushata brenda Partisë Demokratike për rinovimin e strukturave të saj më të larta drejtuese. Sot zoti Arben Imami, anëtar i Këshilllit kombëtar të kësaj partie dhe njëkohësisht shefi i kabinetit të kryeministrit Sali Berisha, shpalli kandidaturën e tij për një vend në sekretariat.

Zoti Imami megjithatë ka shpallur kandidaturën e tij kur ende nga forumet drejtuese të partisë nuk ka asnjë vendim për ristrukturim apo ndryshim të sekretariatit dhe kur të gjithë sekretarët vazhdojnë të jenë në funksionet e tyre.

Deri më tani ka patur vetëm një paralajmërim nga Kryetari i partisë Sali Berisha për rinovimin e strukturave drejtuese pas rezultateve të zgjedhjeve të 18 shkurtit. Dhe emra të ndryshëm qarkullojnë për postet drejtuese. Zoti Imami ndonëse nuk e specifikoi la të kuptohej qartë se do të konkurrojë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm, funksion që e mban Ministri i Financave Ridvan Bode.

Për të njejtin post parashikohet të kandidojë për herë të dytë edhe deputeti Astrit Patozi i cili është edhe kryeredaktor i gazetës së partisë Rilindja Demokratike. Emrat e tjerë të rinj që pritet të zënë funksione të larta janë ato të Sokol Olldashit, Aleksandër Biberajt apo Aldo Bumçit.

XS
SM
MD
LG