Lidhje

Marrëdhëniet amerikano-ruse: A është konflikti i pashmangshëm?


"Marrëdhëniet amerikano-ruse: a është konflikti i pashmangshëm?" -- kjo ishte tema e një konference të zhvilluar të hënën në Institutin Studimor Hadsën të Uashingtonit. Në konferencë, ekspertë amerikanë dhe rusë analizuan marrëdhëniet mes dy vendeve.

Përgjigja e shkurtër e pyetjes së shtruar në Institutin Hadsën është “jo”. Një konflikt i armatosur midis Shteteve të Bashkuara nuk është as i pashmangshëm dhe as ka të ngjarë të ndodhë. Madje, Mikhail Delyagin, këshilltar i ish kryeministrit rus Jevgeny Primakov, thotë se një luftë me Perëndimin përgjithësisht nuk është në interes të elitave ruse. Ja si u shpreh ai përmes një përkthyesi. "Përfaqësues të grupeve në pushtet kanë llogari bankare në Perëndim. Së dyti, duhet kuptuar se ushtria ruse nuk ekziston dhe se ekonomia e Rusisë është jashtëzakonisht e dobët. Flota jonë e Detit të Zi nuk është as në nivelin e forcave të Bullgarisë dhe Rumanisë", thotë zoti Delyagin.

Një nga folësit në konferencën e Institutit Hadsën në Uashington, analisti politik nga Moska, Andrei Piontkovsky, thotë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara – fuqi dominuese të shekullit të 20, duhet tani të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. "Në shekullin e 21, si Perëndimi ashtu edhe Rusia janë në një pozitë shumë më të ekzspozuar ndaj rreziqeve. Që të dy përballen me radikalizmin islamik si dhe me ngritjen e Kinës në skenën botërore, e cila mund të jetë një sfidë afatgjatë dhe më pak e dukshme por ndoshta më e rrezikshme."

Edhe gazetari rus Jevgeny Kiselyev mendon se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë interesa të përbashkëta. Ai thotë se rusët të cilët komunikojnë me amerikanët ose që kanë qenë në Amerikë, përgjithësisht kanë përshtypje të mira për këtë vend. Megjithatë, thotë Kiselyev, disa elementë të klasës ruse në pushtet vazhdojnë ta urrejnë Amerikën: "Disa udhëheqës rusë vuajnp nga kompleksi i inferioritetit dhe i irriton statusi i Amerikës si superfuqia e vetme, megjithë pluset dhe minuset e kësaj", thotë Kisilyev.

Në konferencë, deputeti gjerman in Parlamentit Evropian, Alexander Lambsdorff, e vuri theksin tek minuset e Amerikës. Lambsdorff tha se qendrimi i Evropës ndaj asaj që ajo e sheh si një politikë të jashtëme të gabuar amerikane, e ka lejuar presidentin rus Vladimir Putin të kritikojë ashpër Shtetet e Bashkuara gjatë një konference ndërkombëtare për çështjet e sigurisë në Mynih muajin e kaluar: "Kjo politikë tradicionale sovjetike që përpiqet të ndajë Evropën nga Shtetet e Bashkuara është bërë e mundur për shkak të dobësisë së tanishme amerikane në Evropë. Niveli i lartë i mirëkuptimit që zoti Putin mori për fjalimin e tij të fundit do të ishte i papërfytyrueshëm nëse administrat amerikane do të kishte ende një farë mbështetjeje në Evropë", thotë Lambsdorff.

Por Lilya Shevstova e Qendrës Karnegi në Moskë, thotë se marrëdhëniet e Amerikës me Evropën janë në një nivel cilësisht më të lartë se sa ato mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ajo thotë se marrëdhëniet midis dy vendeve mund të përmirësohen ndjeshëm nëse klasa politike ruse e rrit nivelin e besimit të saj në arenën ndërkombëtare. Për ta bërë këtë, thotë Shevtsova, elita e vendit duhet të mos jepet pas interesave të ngushta në kurriz të interesave më të gjera.

Analistja e Qendrës Karnegi thotë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë më tepër vemendje forcave dinamike sociale të Rusisë si të rinjtë, inteligjenca dhe komuniteti i biznesit. "Bashkëpunimi ekonomik është një mënyrë e fuqishme për të ndihmuar në integrimin e Rusisë në komunitetin perëndimor të vendeve. Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi duhet të inkurajojnë demokracinë në Ukrainë, Bjellorusi dhe Gjeorgji sepse sipas saj, suksesi i këtyre vendeve mund të shërbejë si shembull se edhe Rusia mund të bëhet një demokraci e suksesshme".

XS
SM
MD
LG