Lidhje

Perceptimi për nivelin e korrupsionit në Shqipëri mbetet i lartë


Në Shqipëri perceptimi për nivelin e korrupsionit vazhdon të mbetet i lartë. Sipas një vrojtimi të realizuar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi i mbështetur nga USAID pjesa dërrmuese e institucioneve shqiptare kanë marrë një vlerësim negativ nga qytetarët.

Në krye të listës për nivelin më të lartë të korrupsionit sipas qytetarëve shqiptarë, mbeten tatimorët dhe doganierët, të ndjekur nga mjekët, gjyqtarët, prokurorët dhe deputetët. Përmirësime në krahasim me një vit më parë janë regjistruar në vlerësimet për policinë. Korrupsioni duket se do të vazhdojë të shoqërojë shoqërinë shqiptare dhe lufta kundër tij gjithashtu duket se do të jetë shumë e gjatë.

Një vrojtim i ri i kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi ka nxjerrë në pah se perceptimi i shoqërisë shqiptare për nivelin e korrupsionit mbetet shumë i lartë. Nga 19 institucione vetëm 6 prej tyre i kanë shpëtuar vlerësimit thuajse tërësisht negativ. Perceptimet për vitin 2006 është gati në të njejtat nivele me ato të vitit 2005. Sërish tatimet dhe doganat kryesojnë listën e institucioneve që shihen si më të korruptuarat. Pas tyre vijnë mjekët, gjyqtarët, prokurorët dhe deputetët.

Ndërkohë që Presidenti i Republikës, institucionet fetare, ushtarakët dhe media janë kategoritë me perceptimin më të ulët për nivelin e korrupsionit. Policia ndërkaq është ajo që ka përmirësimin më të madh në perceptimin e qytetarëve. Ajo që vihet re është se ky fenomen karahsuar me vitin 2005 nuk shihet më si një cështje prioritare nga shqiptarët, ndikuar ndoshta kjo edhe me faktin se gjatë vitit 2005 për shkak dhe të zgjedhjeve parlamentare kjo cështje u vu në qendër të vëmendjes.

Qytetarët sipas vrojtimit i konsiderojnë institucionet se iu mungon në përgjithësi transparenca. Organizatorët e sondazhit vlerësojnë se transparenca mbetet një sfidë për institucionet publike. Me përjashtim të forcave të armatosura të gjitha institucionet e tjera në vitin 2006 kanë mbetur nën nivelin mesatar të vlerësimit. Gjykatat, prokuroria dhe parlamenti konsiderohen me pak transparente se gjitha institucionet e tjera. Ndonëse qeveria aktuale erdhi në pushtet me premtimn për një luftë të ashpër ndaj korrupsionit, është media ajoi që shihet nga qytetarët si luftëtarja më e madh këtij fenomeni dhe pas saj shoqëria civile. Qeveria vetë renditet pas këtyre dy kategorive. Ndërsa përsa i përket besimit të shqiptarëve te instituconet, partitë politike janë ato që ngjallin më pak besim. E kundërt është panorama për policinë dhe pushtetin vendor, të cilat jo vetëm ngjallin me shumë besim, por në krahasim me një vit më parë janë vlerësuar edhe më shumë. Ndërkohë që pikë ka humbur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. //rd//

XS
SM
MD
LG