Lidhje

Frezer: Rusia vazhdon të ketë vullnetin për diskutimin e planit Ahtisari


“Qëndrimi rus nuk është paravendosur dhe Rusia vazhdon të ketë vullnetin për ta diskutuar planin Ahtisari, për ta shqyrtuar atë dhe për ta diskutuar në Këshillin e Sigurimit”- thotë Sabine Freizer, Drejtoreshë e Programit për Evropën e Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Zonja Freizer thotë se propozimet e Rusisë për rishikimin e zbatimit të rezolutës 1244 dhe dërgimin e një misioni të Këshillit të Sigurimit në Kosovë, do t’u ndihmonin anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ta kuptonin më mirë gjendjen në vend.

Zëri i Amerikës: Rusia e ka kundërshtuar propozimin Ahtisari për Kosovën, duke e quajtur atë një “plan të dështuar” dhe po i kërkon OKB-së të dërgojë një mision verifikimi në Kosovë lidhur me zbatimin e Rezolutës 1244. Sa realiste është kjo kërkesë e Rusisë?

Sabine Frazier: Do të doja të jepja disa sqarime lidhur me këtë koment. Rusia deri tani ka bërë disa deklarata që kanë qenë kritike për planin Ahtisari, por deri tani nuk ka marrë një vendim zyrtar, nga sa kuptoj, nga ato që thonë autoritetet ruse, në se do të vendoste veton në Këshillin e Sigurimit, ndaj një rezolute për Kosovën. Prandaj, deri tani, do të thoja se qëndrimi rus nuk është paravendosur dhe Rusia vazhdon të ketë vullnetin për ta diskutuar planin Ahtisari, për ta shqyrtuar atë dhe për ta diskutuar në Këshillin e Sigurimit. Rusia ka bërë në fakt dy propozime të veçanta: njëri është rishikimi i plotë i zbatimit të rezolutës 1244 dhe i dyti, një udhëtim në rajon, në Beograd dhe në Prishtinë, me pjesëtarë të Këshillit të Sigurimit. Mendoj se këto dy propozime janë të kuptueshme dhe në një farë mënyre do t’u ndihmonin anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ta kuptonin më mirë gjendjen në vend. Por do të shqetësohesha se kjo do ta vononte ndoshta procesin, pra në se kjo do të organizohej me shpejtësi, do të thoja se propozimet e Rusisë do të ishin të mira. Por në se ato do ta zvarrisnin procesin, për disa muaj, fillimisht duke organizuar vizitën në Kosovë, pastaj raportin lidhur me të, në këtë rast, do të thoja që ato nuk do të ishin në dobishme, prandaj duhen menduar mirë koha dhe rëndësia që kanë propozimet e Rusisë.

Zëri i Amerikës: Në rast se Rusia do t’i vinte veton rezolutës së OKB-së për Kosovën, çfarë do të ndodhte, çfarë skenari shihni?

Sabina Freizer: Shpresoj që Rusia nuk do t’i verë veton rezolutës në Këshillin e Sigurimit dhe me sa kemi kuptuar, Rusia nuk ka marrë një vendim të qartë lidhur me këtë çështje, natyrisht që është e rëndësishem të merret në konsideratë Rusia, por ka edhe anëtarë të tjerë të Këshllit të Sigurimit, të cilët deri tani kanë qenë të lëkundur lidhur me këtë çështje. Prandaj, dhe është mirë që anëtarët e Këshillit të Sigurimit t’i shqyrtojnë me kujdes propozimet dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët, sepse disa nga anëtarët janë ende të pasigurtë se si do të votojnë, si dhe lidhur me substancën e planit, prandaj kemi nevojë për një diskutim të mirë. Nuk dua të shprehem lidhur me mundësinë e një vetoje, vazhdoj të jem e mendimit se kompromisi është i mundur dhe shpresoj së tepërmi, siç thashë, se rezoluta do të miratohet gjatë gjysmës e dytë të këtij viti.

Zëri i Amerikës: Disa analistë janë shprehur se Rusia po e kundërshton planin Ahtisari jo për shkak të dashurisë për Serbinë, por për ta përdorur Kosovën për interesat e veta. A jeni ju dakord me këtë mendim?

Sabina Freizer: Sidomos vitin e kaluar, ka patur disa komente nga zyrtarë rusë, mes tyre edhe vetë Presidenti Putin, se Kosova mund të vendosë një precedent për Kaukazin Jugor. Dua të theksoj se rasti i Kosovës nuk do të shërbejë si precedent, ai është një rast unik. Rezoluta e OKB-së për Kosovën u miratua në vitin 1999 dhe ajo hapi rrugën për një status të ndryshëm për të, duke ja hequr pjesërisht sovranitetin Serbisë ndaj Kosovës, pra kemi të bëjmë me një rast shumë të ndryshëm nga vendet e Kaukazit.

Zëri i Amerikës: Në rast se procesi vonohet, a mendoni se ekziston mundësia e trazirave në rajon, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi?

Sabina Freizer: Po, ka shqetësime se në se procesi vonohet, në se do të ketë veto ndaj Rezoluëts, ekziston mundësia e shpërthimit të dhunës. Bukuria e planit Ahtisari, është se do të ketë pavarësi të mbikqyrur. Po t’u hedhësh një vështrim pikave të propozimit, flitet për të drejtat që u jepen pakicave në Kosovë, një decentralizim shumë i fortë, mbrojtje e objekteve kulturore dhe fetare; kjo është shumë e rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe paqen në të ardhmen në Kosovë dhe për një Ballkan të qëndrueshëm. Prandaj, në se nuk do të kishim rezolutë, pra në se paketa e Ahtisarit nuk do të pranohej, nuk do të kishim asgjë që do të detyronte Kosovën të ruante këto standarte të larta të të drejtave të minoriteteve. Po ashtu ekziston shqetësimi se ka disa elemente radikalë si në radhët e serbëve, edhe të shqiptarëve, të cilët ndoshta kanë interes të mbjellin dhunë, në se nuk do të kishte një rezolutë e re. Mendoj se deri tani, autoritetet e Kosovës, kanë qënë të aftë të ruajnë qetësinë, duke u përpjekur t’i bindin njerëzit se plani Ahtisari është shumë i mirë, por nga ana tjetër jam e shqetësuar se ata kanë vendosur të gjithë besueshmërinë e tyre tek ky plan. Pra, jemi të shqetësuar se kjo gjendje mund të sjellë paqëndrueshmëri, ndoshta edhe në mbarë rajonin, në se gjatë verës nuk do të kemi një rezolutë për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Pas zgjedhjeve të janarit, Serbia ende nuk e ka formuar qeverinë e re. A mendoni se kjo ka lidhje me çështjen e Kosovës?

Sabine Freizer: Eshtë e vështirë të thuhet, që pas zgjedhjeve të janarit në Serbi, ende nuk ka një qeveri. Por nuk është hera e parë që kjo ndodh në Serbi. Megjithatë, do të thoja se ka një lloj papërgjegjshërie nga ana e politikanëve serbë, sepse për hir të partneritetit, duhet që dikush të marrë përgjegjësinë për të dialoguar me Kosovën dhe me komunitetin ndërkombëtar për cështjen e Kosovës. Pra ka një lloj vakuumi, lidhur me çështjen se kush do të flasë në emër të popullit serb dhe për sa kohë që ky zë mungon, është vështirë të arrihet një zgjidhje.//rd//

XS
SM
MD
LG