Lidhje

Vatikan: Mesha tradicionale e të Dielës së Palmave


Papa Benedikti i XVI festoi meshën e të dielës sot në Sheshin e Shën Pjetrit, duke shënuar fillimin e festimeve për javën e shenjtë. Këtë vit Java e Shenjtë përfshin edhe ceremoni për të kujtuar 2 vjetorin e vdekjes së Papa Gjon Palit të Dytë.

Procesioni i priftërinjëve, peshkopëve dhe kardinalëve me degë palmash dhe ullinjsh në duar hapi meshën e së Dielës së Palmave për mijëra besimtarë katolikë të mbledhur me këtë rast në Sheshin e Shën Pjetrit.

Duke vazhduar një traditë të filluar nga paraardhësi i tij, Papa Gjon Pali, Papa Benedikti ia përkushtoi meshën e të Dielës së Palmave të rinjve, të pranishëm në masë.

Në ceremoninë që përkujton hyrjen triumfante të Krishtit në Jeruzalem një javë para se të kryqëzohej, Papa Benedikti tha se ata që zgjedhin të ndjekin Krishtin duhet t’i jepen plotësisht atij.

Papa u tha gjithashtu besimtarëve të mos lejojnë që jeta e tyre të marrë një rrugë pa kuptim, dhe të mos pranojnë atë që ndjekin apo besojnë të tjerët, por të kërkojnë rrugën e Zotit. Ai foli për nevojën që ka njerëzimi për t’i ruajtur duart dhe zemrën të pastër:

"Duart e pastra, nuk përdoren për akte dhune; ato nuk ndoten nga korrupsioni apo rryshfetet. Dhe zemra e dlirë nuk njolloset nga gënjeshtrat dhe hipokrizia".

Papan Benedikt përshëndeti të rinjtë në gjuhë të ndryshme, në përfundim të meshës:

"Uroj që veprimtaritë e Javës së Shenjtë, ku shohim se si shpaloset dashuria në format më radikale, do t’ju frymëzojnë për t’u bërë dëshmitarë të guximshëm të bamirësisë për miqtë tuaj, komunitetin tuaj dhe botën tonë."

Mesha e së dielës shënon fillimin e Javës së Shenjtë për katolikët, ku përfshihet edhe ringjallja e Krishtit pas vdekje, e cila shënohet të premten, si dhe mesha e së dielës, e cila shënon ngjitjen e tij në parajsë.

Këtë vit Java e Shenjtë do të përfshijë edhe një meshë për të shënuar 2 vjetorin e vdekjes së Papa Gjon Palit të Dytë. Të dielën e ardhshme Kisha Katolike do të mbyllë edhe njërën fazë të procesit për të shqyrtuar mundësinë e shenjtërimit të Papa Gjon Palit. Ndër pjesëmarrësit në meshë pritet të jetë edhe një murgeshë franceze, e cila thotë se u shërua nga sëmundja e parkinsonit nga bekimi i Papës. Rasti i saj mendohet të jetë një ndër shtysat kryesore për shenjtërimin e Papa Gjon Palit./al/

XS
SM
MD
LG