Lidhje

Britania thotë se është në komunikim të drejtpërdrejtë me Iranin


Sekretari britanik i Mbrojtjes Des Broune thotë se Londra është në komunikim të drejtpërdrejtë dypalësh me Iranin për të siguruar lirimin e 15 detarëve britanikë.

Zoti Broune tha se Britania është shumë e angazhuar për ta zgjidhur çështjen dhe dëshiron ta arrijë këtë me mjete diplomatike.

Po sot, rreth 200 studentë iranianë organizuan një protestë të dhunshme para ambasadës britanike në Teheran, lidhur me grupin e marinarëve britanikë që Teherani i akuzon se kanë dhunuar ujërat iraniane.

Studentët qëlluan me gurë në drejtim të ndërtesës. Nuk ka pasur njoftime për dëme në njerëz.

Irani thotë se 15 marinarë britanikë u kapën disa ditë më parë në ujërat iraniane. Britania thotë se ata ishin në ujërat irakiane.

Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad thotë se Britania po tregohet arrogante duke mos kërkuar ndjesë për këtë incident.

Presidenti Bush e cilësoi dje si të pajustifikueshme kapjen e detarëve britanikë dhe iu referua atyre si pengje./al/

XS
SM
MD
LG