Lidhje

Diplomatët amerikanë optimistë për bashkëpunim me Rusinë për çështjen e Kosovës


Zyrtarë amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë ta vazhdojnë frymën e bashkëpunimit me Rusinë lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës ashtu siç e filluan. Komentet u bënë në Nju Jork nga i dërguari i posaçëm i Sekretares së Shtetit për Kosovën Frank Wisner, ndërsa në Uashington komentoi zëvendës ndihmës sekretarja e shtetit Rozmari di Karlo.

I dërguari i posaçëm i Sekretares së Shtetit për Kosovën Frank Wisner tha sot për gazetarët në Nju Jork se Shtetet e Bashkuara kanë punuar me Rusinë rreth problemit të Kosovës për shumë vite me radhë dhe Rusia ka qenë pjesë e diskutimeve në Grupin e Kontaktit që prej 15 muajsh kur filluan bisedimet për çështjen e statusit. Si amerikanë, tha zoti Wisner, ne do të dëshironim ta përfundonim këtë lidhje rreth Kosovës në të njëjtën frymëbashkëpunimi siç e filluam. Ne, tha ai, ua kemi bërë të qartë rusëve se nuk ka gjë të keqe të bisedohet dhe që gjërat të peshohen me shumë kujdes së bashku. Objektivi ynë është: atë që filluam së bashku, le ta përfundojmë së bashku. Por baza mbi të cilën duhet të përmbyllen veprimet për këtë çështje duhet të jenë rekomandimet e zotit Ahtisaari.

Shtetet e Bashkuara, tha zoti Wisner, besojnë në pavarësinë e Kosovës dhe propozimi i Ahtisarit përbën suazën më të mirë për realizimin e kësaj pavarësie, tha ambasadori Wisner. Ai tha se kjo çështje është me rëndësi jetike për Evropën, sepse stabiliteti i juglindjes së Evropës varet nga zgjidhja në Kosovë. Evropa siguron një pjesë të rëndësishme të trupave të KFOR-it. Po kështu edhe Shtetet e Bashkuara kanë interesa jetike, tha ambasadori Wisner, madje, theksoi ai, Amerika hyri në luftë për këtë çështje. A është njëlloj e rëndësishme kjo çështje për Rusinë, pyeti zoti Wisner, apo është thjesht fjala për interesa periferike, ndërkohë që interesat amerikane dhe evropiane janë jetike?

Duke folur për idenë e hedhur nga Rusia për të dërguar një mision në Prishtinë dhe Beograd, zoti Wisner tha se në pamje të parë një mision i tillë duket krejt i logjikshëm. Por gjithçka varet se cili është qëllimi i misionit. Nëse qëllimi është për të vëzhguar dhe informuar, pra për të patur atë informacion që do t’i duhej një qeverie të përgjegjëshme për të marrë një vendim, kjo është njëra gjë. Por nëse misioni ka si qëllim që në një farë mënyre të rihapë bisedimet, atëhere ne nuk shohim që kjo të ketë shumë kuptim sepse gjatë 15 muajve, zoti Ahtisari ka shterruar të gjitha rrugët e imagjinueshme. Pra lidhur me këtë mision ne do të vendosim pasi të jenë paraqitur faktet në tryezë, tha ambasadori amerikan Frank Wisner.

Duke folur për rezervat e shprehura nga disa vende si Rumania lidhur me planin Ahtisari, zoti Wisner tha se gjithmonë ka një farë rreziku kur një shtet i ri është gati të dalë në skenën ndërkombëtare. Por, tha ai, Kosova është po aq e gatshme sa çdo vend tjetër i ri që doli në skenë gjatë kësaj epoke të turbullt. Të paktën deri në fund të viteve 80, tha zoti Wisner, Kosova kishte autonomi të gjerë dhe institucionet e saj ishin përgjegjëse për qeverisjen e përditëshme. Gjithatu, gjatë 8 vjetëve të fundit, tha ai, Kombet e Bashkuara kanë filluar punën për rigjallërimin e këtyre institucioneve dhe zgjerimin e tyre dhe tani ka arritur përfundimin se përparimi i mëtejshëm në zhvillimin e plotë të institucioneve kombëtare nuk mund të realizohet nëse nuk është zgjidhur çështja e statusit, tha ambasadori Wisner. Ai tha se qendrimi i administratës amerikane në mbështetje të pavarësisë për Kosovën bazohet fuqimisht mbi linja dypartiake.

Zoti Wisner theksoi gjithashtu se pikpamjet sipas së cilave Kosova është një farë terreni për terror dhe fondamentalizëm janë mjaft të ekzagjeruara dhe jo të sakta.

Në Uashington, Zëvendës ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Rozmari di Karlo tha se diskutimet për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit sapo kanë filluar dhe është herët të nxirren përfundime. Ajo tha se kur Këshilli i Sigurimit analizon një çështje , kjo normalisht përfshin një seri diskutimesh dhe e shikon problemin nga shumë kondvështrime, shikohen raportet e mëparshme dhe bisedohet me palët siç u veprua edhe dje. E pyetur nëse një Kosovë e pavarur do të ishte në gjendje të funksiononte si shtet, zonja di Karlo tha se Kosova ka nevojë megjithatë për mbështetje ndërkombëtare.

Duke folur për planin e kryenegociatorit Ahtisari, zonja di Karlo i bëri thirrje Serbisë që t’i shikojë me shumë kujdes dispozitat e propozimit, klauzolat që mbrojnë objektet kulturore dhe fetare serbe, dispozitat që u japin serbëve të Kosovës autonomi të gjerë dhe që sigurojnë vazhimin e lidhjeve me Beogradin. Këto dispozita, tha zonja Di Karlo dua përmirësonin jetën serbëve të Kosovës. Sepse kur Shtetet e Bashkuara flasin për qartësi të statusit, ato e kanë fjalën edhe për serbët e Kosovës. Zonja Di Karlo u bëri thirrje edhe shqiptarëve të Kosovës që t’i përqafojnë plotësisht propozimet e zotit Ahtisari. //rd//

XS
SM
MD
LG