Lidhje

Marinarët britanikë - presion i vazhdueshëm psikologjik nga Irani


Personeli i marinës britanike që u kap nga Irani tha se i ishte nënshtruar presionit të vazhdueshëm psikologjik gjatë dy javëve që u mbajt i ndaluar.

Në një konferencë shtypi që dha sot në Londër, lejtnanti Feliks Karman tha se të 15 marinarëve të kapur u ishin lidhur sytë, ishin marrë në pyetje në mënyrë agresive dhe ishin mbajtur të izoluar në qeli prej guri. Karman theksoi gjithashtu se marinarët ishin plotësisht në përputhje me rregullat e hipjes në anije dhe ndodheshin 1,7 milje detare nga ujrat iraniane në kohën kur u kapën.

Kapiteni Kris Eër, u tha gazetarëve se forcat iraniane iu afruan me shpejtësi në motoskafë anijeve britanike dhe u drejtuan armët marinarëve. Ai tha se ekipi i tij mori me vetëdije vendimin që të mos u rezistonte iranianëve, nga shqetësimi se kjo mund të shkaktonte një shkëmbim të madh zjarri. Për shkak të këtij incidenti, Britania pezulloi sot praktikën e saj të inspektimit të anijeve në Gjirin Persik. //rd//

XS
SM
MD
LG