Lidhje

Filantropia në Amerikë - Çfarë i shtyn njerëzit të dhurojnë

update

Çdo vit revista Business Week publikon listën me 50 bamirësit më bujarë amerikanë bazuar në donacionet që kanë dhënë gjatë pesë vjetëve. Investuesi miliarder Warren Buffett u radhit i pari në vitin 2006, pasuar nga themeluesi i Microsoftit Bill Gates dhe bashkëshortja e tij Melinda. Por të pasurit nuk janë të vetmit që japin fonde bamirësie.

Njoftimi i papritur nga Warren Buffett vitin e kaluar se do t’i dhuronte Fondacionit Gates 31 miliardë dollarë, më shumë se 80 përqind të pasurisë së tij i dha një dimension të ri bamirësisë. Së bashku dy njerëzit më të pasur të botës, shpresojnë të financojnë arritjet e reja në kujdesin shëndetësor, shkencë dhe arsim kudo në botë.

Ndërsa dhurimet e të pasurve kapin titujt kryesor të gazetave, statistikat tregojnë se dhurimet më të shumta në Shtetet e Bashkuara vijnë nga njerëzit e thjeshtë. Ian Wilhelm, gazetar për revistën Chronicle of Philanthropy që përqëndrohet në sektorin jo-fitimprurës, thotë se amerikanët janë zemërgjerë."Amerikanët kanë shpirtin e dhënies. Kjo bazohet në shpirtin krijues për ta bërë çdo gjë vetë dhe në individualizmin. Ekziston gjithashtu një ndjenja për të dhënë para pasi qeveria nuk bën sa duhet për t’i dhënë shoqërisë dhe për të ndihmuar njerëzit. Mendoj se këta faktorë sjellin detyrimin për të dhënë para. Patjetër që bazë është edhe besimi fetar. Studimet tregojnë se dhurimet për banor janë më të larta në Shtetet e Bashkuara sesa në Britani, Gjermani dhe Francë", thotë Wilhelm.

Fondet për bamirësi u shkojnë në pjesën më të madhe organizatave jo-fitimprurëse si spitaleve, kishave dhe shkollave dhe shpesh zbriten nga taksat. Linwood Campbell është tani anëtar i bordit të United Way, një nga organizatat më të mëdha jo-fitimprurëse në Shtetet e Bashkuara. "Isha shumë i zënë kur isha i ri. Nuk kisha kohë të dilja vullnetar, por gjithmonë jepja një kontribut vjetor. Kur jap para, nuk ndjej se po humbas ndonjë gjë. Për mua është një farë detyrimi".

Wilhelm thotë se megjithëse ke përfitim nga taksat kur jep donacione, njerëzit janë shpesh më shumë të motivuar nga fryma për të ndihmuar. "Para se të japin dhurime të mëdha, jam i sigurt që të gjithë bisedojnë me avokatin e taksave dhe sigurohen se do të përfitojnë nga ajo që do të japin. Ata duan të sigurohen që ta bëjnë këtë marrëveshje në interesin e tyre. Por mendoj se më shumë njerëzit janë të motivuar nga fryma për të ndihmuar të tjerët".

Wilhelm thekson se dhënia e donacioneve nuk përfundon aty. Gjithnjë e më shumë njerëz i kushtojnë vëmendje tani mënyrës sesi përdoren donacionet e tyre. "Njerëzit gjenerojnë shumë pasuri në një moshë të re. Ata kanë një përqasje tjetër bazuar në frymën e tyre të biznesit ku duan të kontrollojnë donacionet që japin. Njerëzit kërkojnë të shohin rezultate ashtu si bizneset do të kërkonin rezultate nga investimet që bëjnë". Wilhelm e ilustron zemërgjerësinë e amerikanëve me një histori. "Dikur më treguan një histori se dhurata e zotit Warren Buffet frymëzoi një vajzë shtatë vjeçare që donte të dërgonte 35 dollarët e vetë të kursyer për Fondacionin Gates", thotë ai.

Të pasur apo jo, shumë njerëz kanë shpirtin e të dhënit, edhe ata që janë në nevojë. Anthony Johnson është pacient me Sida. "Duhet gjithmonë të japësh. Kam një shprehje – i vetëm mund të mos bësh asnjë, por të gjithë mund të bëjmë diçka, mund të bëjmë çdo gjë. Unë dua të bëj timen".

XS
SM
MD
LG