Lidhje

SHBA: Shtohet presioni mbi një marrëveshje për imigracionin


Grupet që mbrojnë të drejtat e imigrantëve po mundohen të rritin presionin ndaj Uashingtonit për të arritur një marrëveshje mbi problemin e imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Mbrojtësit e të drejtave të imigrantëve shpresojnë se pas disa dështimeve mund të arrihet një marrëveshje me mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë, përpara përfundimit të vitit.

Imigrantët anembanë Shteteve të Bashkuara po rritin përpjekjet për reformat mbi ligjet e imigracionit, duke mbështetur thirrjen e presidentit Bsuh për një hap të tillë.

Në një fjalim të mbajtur këtë javë në shtetin e Arizonës, pranë kufirit me Meksikën, presidenti Bush tha se ai po punon me ligjvënësit republikanë dhe ata demokratë për të negociuar një projekt-ligj për një reformë gjithpërfshirëse, i cili mund të hynte në fuqi si ligj brenda vitit.

Në qendër të këtij propozimi është forcimi i patrullave kufitare si dhe krijimi i një programi për punëtorët e huaj. Shumë grupe që mbrojnë të drejtat e imigrantëve e mbështetin planin e presidentit. Vitin e kaluar ligjvënësit amerikanë nuk mundën të arrinin një marrëveshje, por këtë vit është ndryshe thotë avokati i imigracionit, Samyel Pagan: “Është një moment kritik. Ligjvënësit presin që ligji të miratohet brenda këtij viti, ndryshe do të jetë e vështirë që të planifikohet diskutimi i tij vitin e ardhëshëm, kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale.”

Për të rritur presionin ndaj Uashingtonit, një grup pro-imigrantësh po bën thirrje për demonstrata masive më 1 maj, në Majami dhe qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara. Më shumë se 1 milionë imigrantë marshuan në demonstrata të ngjashme vitin e kaluar, pjesërisht për të protestuar disa propozime të bëra nga Kongresi që atëhere drejtohej nga republikanët, ku bëhej thirrje për të ndaluar imigrantët e paligjshëm në vend.

Por tani që shumicën në Kongres e kanë demokratët, përkrahësit e imigrantëve kanë shumë shpresa në miratimin e një propozimi për imigracionin, i quajtur Akti i Përpjekjeve, i bërë nga ligjvënësi republikan, Xhef Fleik dhe demokrati Luis Gutierrez. Përkrahësit thonë se ky propozim u jep zgjidhje shqetësimeve më të mëdha të imigrantëve.

Roza Kase, presidentja e Koalicionit Hispanik, thotë se Akti i Përpjekjeve do të krijonte një program për punëtorët e huaj, ashtu siç kishte kërkuar edhe presidenti Bush. Në të njejtën kohë do të krijonte një program për imigrantët e huaj për të fituar një status legal në Shtetet e Bashkuara. Aty përfshihen edhe masa për forcimin e kufijve. “Akti i Përpjekjeve u jep gjerësisht zgjidhje problemeve të sigurisë së kufijve. Ky akt do të sigurojë të ardhurat për teknologji të reja kontrolli si dhe për shtimin me 18 mijë, të numrit të rojeve që patrullojnë kufirin”, thotë zonja Kase.

Presidenti Bush ka bërë thirrje që rojet e reja të kufirit të vendosen brenda këtij viti, si pjesë e përpjekjeve për sigurimin e kufijve. Përkrahësit thonë se zotimi i presidentit për këtë reformë është një nga arsyet kryesore që ajo mbetet ende në planin e vendit edhe pas dështimeve të para për të arritur një kompromis politik.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nensi Pellosi, thotë se mbështetja e presidentit do të jetë e nevojshme për të bindur ligjvënësit republikanë, nëse projekt-ligji do të paraqitet në Kongres për votim. Për bizneset amerikane, e ardhmja e reformës për imigracionin është një shqetësim i madh.

Avokati Samyel Pagan, thotë se udhëheqësit e bizenseve dhe grupet fetare po marrin pjesë për të nxitur një zgjedhje. Zyrtarët e imigracionit kanë ndaluar qindra imigrantë të paligjshëm gjatë kontrolleve në disa biznese amerikane muajt e fundit. Ndërkohë fermerët gjithashtu po ankohen për mungesën e krahut të punës së imigrantëve nga Amerika Latime, për shkak të rritjes së tensioneve. //rd//

XS
SM
MD
LG