Lidhje

Vështrim mbi marrëdhëniet komplekse kino-amerikane


Një raport i sapodalë i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë sugjeron një rend dite mbi të ardhmen e lidhjeve kino-amerikane, të cilat i quan “marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në shekullin e 21-të”. Raporti i kërkon qeverisë amerikane të ketë një mesazh konsekuent mbi marrëdhëniet me Kinën dhe të përpiqet më fort të punojë me Pekinin në çështje të interesit reciprok.

Marrëdhëniet kino-amerikane janë të gjera dhe shumëplanëshe. Ato përfshijnë çështje delikate si gjendja e dobët e të drejtave të njeriut në Kinë dhe rritja masive e deficitit tregëtar të Amerikës me Kinën. Në të njëjtën kohë, analistët thonë se të dy vendet në shumë çështje kanë interesa të përbashkëta që duhet të ndjekin, përfshirë mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e burimeve globale të energjisë.

Një komision i pavarur prej 30 ekspertësh mbi çështjet e Kinës, i mbledhur në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, nxori ditët e fundit një raport ku shqyrtohen marrëdhëniet kino-amerikane dhe theksohen rrugët që duhen ndjekur.

Ish-përfaqësuesja tregëtare e Shteteve të Bashkuara dhe bashkëdrejtuese e komisionit, Carla Hills, thotë se raporti tërheq vëmendjen ndaj pengesave në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por se është relativisht optimist mbi të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. “Shqyrtuam 35 vjet ndryshimesh në Kinë, që nga koha e Mao Ce Dunit, kur njerëzit nuk mund të zgjidhnin vendin e punës dhe vendin ku jetonin. Theksuam se çfarë ndryshimesh rrënjësore kanë ndodhur”.

Tregëtia është ndoshta fusha më e rëndësishme e kontradiktave ndërmjet dy vendeve. Deficiti tregëtar i Shteteve të Bashkuara me Kinën vitin e kaluar kapi shifrën-rekord prej 232 miliardë dollarësh dhe pritet të vazhdojë të shtohet.

Ndër çështje të tjera janë pirateria e produkteve të prodhuara në Kinë dhe bindja e fortë se Pekini po manipulon valutën kineze për të fituar epërsi në tregëti.

Përveç këtyre shqetësimeve, thotë zonja Hills, Uashingtoni ka edhe të tjera që shkojnë përetj ekonomisë. “Siç është rritja e ndikimit të Kinës në arenën botërore. Ekziston shqetësim se kjo influencë do të ndikojë në rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në të ardhmen. Disa mendojnë se shqetësim për Washingtonin është shtimi i kapaciteteve ushtarake të Pekinit që kërcënon sigurimin e Shteteve të Bashkuara. Po ashtu edhe gjendja e të drejtave të njeriut në Kinë krijon ankth të madh në disa rrethe”.

Por edhe Pekini ka shqetësimet e veta ndaj Shteteve të Bashkuara. “Kina shqetësohet për praninë e fortë amerikane në Azinë Qendrore, që besohet si një përpjekje për të penguar rritjen e Kinës, siç është dislokimi i ushtrisë amerikane rreth kufirit perëndimor të Kinës, siç është kontrolli i eksporteve për të mos e lejuar Kinën të shtjerë në dorë teknologjinë e nevojshme, si dhe thirrjet amerikane për demokraci, për të cilat Pekini shqetësohet se mund të nxisin me të vërtetë trazira në vend dhe të ndërpresin rritjen ekonomike të Kinës”, thotë zonja Hill.

Raporti thekson se Kina është përpjekur t’ia paraqesë Uashingtoni interesat e saj themelore, ndër të cilat çështjen e ishullit të Tajvanit.

Komisioni i bën thirrje Washingtonit që, nga ana e tij, t’ia bëjë të qarta Pekinit interesat e veta themelore, sepse përvoja e deritanishme tregon se Pekini do të përgjigjej më mirë ndaj këtyre interesave.

Raporti përshëndet afrimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, siç ishte takimi i vitit të kaluar ndërmjet presidentëve Bush dhe Hu Gjin Tao.

Ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, Zhou Uenshong, duke folur në kohët e fundit, tha se të dy presidentët kanë arritur një marrëveshje “për partneritet konstruktiv dhe bashkëpunimi”.

Vitet e fundit, Washingtoni dhe Pekini kanë punuar së bashku në përpjekje për të zgjidhur disa çështje ndërkombëtare, si kriza në Darfur të Sudanit dhe ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut e Iranit.

Komisioni rekomandon që presidenti amerikan të paraqesë më shpesh, më qartë dhe në mënyrë më konsekuente për popullin kinez dhe atë amerikan synimet politike të Shteteve të Bashkuara.

Komisioni, përmes raportit, i bën gjithashtu thirrje Washingtonit që të punojë për integrimin e Kinës në bashkësinë ndërkombëtare, gjë që do të ndihmonte në mbrojtjen më të fortë të interesave të të dy vendeve. //az//

XS
SM
MD
LG