Lidhje

Ekspozita "Mjedisi dhe konfliktet rajonale"


Ndikimet e degradimit të mjedisit po shihen përherë e më tepër si faktorë që ndikojnë tek konfliktet në rajone të ndryshme të botës. Pakësimi përherë e më tepër i burimeve natyrore si kërcënim për sigurinë e njerëzve dhe qëndrueshmërinë politike, është në qendër të një ekspozite në Qendrën Woodrow Wilson në Washington, të titulluar “Mjedisi, Konflikte dhe Bashkëpunim”:

Burimet natyrore sigurojnë jetesën dhe strehimin për qindra milionë njerëz të botës në zhvillim dhe janë faktorët bazë të mbijetesës. Me rrezikun që i kanoset burimeve natyrore të jetesës, rrezikohet edhe siguria personale për miliona vetë që mbështeten te këto burime. Ndryshimet e klimës, mungesa e ujit dhe shtimi i popullsisë janë disa nga sfidat më të fuqishme dhe më pak të njohura për mjedisin.

Duke marrë si elementë ujin, klimën, tokën, pyjet dhe mineralet, ekspozita paraqet jo vetëm mënyrat se si mund të çojë degradimi i mjedisit në konflikt dhe në kërcënime të reja të sigurisë, por në të njëjtën kohë se si bashkëpunimi për mjedisin mund të kontribuojë tek siguria dhe qëndrueshmëria.

Ekspozita, e krijuar nga grupi studimor me qendër në Berlin, Adelphi Research, përqëndrohet tek çështja se si njerëzit kanë bërë që ndryshimet e mjedisit të ndikojnë si në politikat e brendshme edhe në ato të jashtëme. Kjo krijon kushtet për një lidhje të drejtpërdrejtë mes burimeve natyrore, varfërisë dhe qëndrueshmërisë në pjesë të ndryshme të botës, sipas drejtorit Alexander Carius të grupit Adelphi Research.

“Ne përdorim shembuj, si ndikimi i klimës tek shtimi i thatësirës, aspektet ekstreme të motit, si përmbytjet dhe stuhitë. Po ashtu, ne shikojmë dimensionin ekonomik, se si ndryshimi i klimës ka ndikim indirekte tek ekonomia, sidomos te vendet më pak të zhvilluara”.

Ekspozita, po ashtu, tregon se përdorimi me masë i burimeve natyrore brenda vendit, mund të ndikojë për parandalimin e luftrave dhe forcimin e besimit. Armenia dhe Azerbaxhani, për shembull, vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje ndërkufitare, sidomos për rajonin e Nagorni-Karabakut, thotë zoti Carius. Por, Nisma e Politikës Evropiane të Fqinjësisë, krijon një kornizë politike, në trajtimin e çështjeve të mjedisit dhe në afrimin e vendeve fqinje më pranë standardeve evropiane.

“Brenda kornizës politike, agjencitë qeveritare dhe organizatat joqeveritare, filluan projekte eksperimentale ndërkufitare, si për ujin, edhe për mbrojtjen e natyrës. Ka disa shembuj shumë premtues, ku jo këto tre vende në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet aktiviteteve dy-palëshe mes Gjeorgjisë dhe Armenisë dhe po ashtu, mes Gjeorgjisë dhe Azerbajxhanit, provuan të jenë të frytshme, ngaqë normalisht, këto vende, sidomos Armenia dhe Azerbajxhani, nuk bashkëpunojnë mes tyre”.

Ekspozita paraqet lidhje mes mjedisit dhe sigurisë në vendet e Azisë Qendrore. Hartat paraqesin rrezikun e radioaktivitetit, lëndëve kimike dhe biologjike, si dhe ndotjes në rajon. Shfrytëzimi i dy lumejve kryesorë në Kazakistan ka çuar në uljen e nivelit të ujit dhe në tharjen e Detit Aral. Pas prishjes së sistemit të shpërndarjes së ujit gjatë periudhës sovjetike, dolën në pah interesat kombëtare. Përdorimi i vazhdueshëm i praktikave të vaditjes intensive dhe presionet e mjedisit i shtuan tensionet mes grupve etnike dhe shteteve.

Folësit në ekspozitë parshikojnë se ndryshimet e klimës do të ndrushojnë jetën tonë. Ndryshimet e mëdha të klimës do të ndryshojnë burimet e ujit, si dhe gjendjen e tokës bujqësore. Një numër fenomenesh klimatike mund t’i bëjë të pabanueshëm qytetet dhe rajonet me lumenj, duke shkaktuar migrime masive. Ata besojnë se duhet ndryshuar mënyra jonë e jetesës dhe realizuar reforma ekonomike, në mënyrë që të pranojmë faktin se jetojmë në një fshat të madh global, ku duhet të mbështetemi gjerësisht te njeri-tjetri.

Ekspozita e mjedisit ndodhet në Qendrën Woodrow Wilson, në sajë të përpejkjeve të Ambasadës Gjermane, ndërsa Gjermania vazhdon përpjekjet për të udhëhequr në çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin. Pas Washingtonit, ekspozita do të hapet në qytetet Huston dhe Austin të Teksasit./al/

XS
SM
MD
LG