Lidhje

Nju Jork: Udhëheqësit e Kosovës zotohen të ruajnë unitetin


Grupi negociator i Kosovës i kryesuar nga presidenti Fatmir Sejdiu, u kthye sot në Prishtinë nga Nju Jorku, ku mori pjesë në konferencën për Kosovën. Presidenti Sejdiu, u tha gazetarëve në aeroportin e Prishtinës, se konferenca ishte një mundësi e jashtëzakonshme për takime me përfaqësues të politikës amerikane dhe ofroi mundësinë për një debat të gjerë për Kosovën, për periudhën 120 ditë pas vendosjes së statusit. Po kështu, Prishtina, sipas presidentit, pati mundësinë të parashtrojë nevojat dhe përparësitë e saj për këtë periudhë.

Udhëheqësit kryesorë të Kosovës i dhanë fund konferencës me zotimin për të ruajtur unitetin në këtë periudhë kritike për të ardhmen e vendit. Konferenca e mbyllur për mediat u organizua nga Fondacioni “Rockefeller Brothers” dhe tri organizata të tjera dhe kishte si qëllim përgatitjen e strategjisë për 120 ditët e para të Kosovës së pavarur. Në konferencë folën ish Presidenti Klinton, ish sekretarja amerikane e shtetit Medlin Ollbrajt, nënsekretari i shtetit Nikolas Bërns dhe diplomati Riçard Hollbruk. Korrespondenti ynë ishte të dielën në Fondacionin Rockefeller Brothers në Nju Jork ku bisedoi me pjesmarrës të konferencës.

Me nënkuptimin e qartë se pavarësia nuk do të vonojë, udhëheqësit politikë të Kosovës shpallën synimet e tyre për të demonstruar se Kosova do të funksionojë normalisht në 120 ditët e para të tranzicionit të saj.

Një deklaratë e Grupit të Unitetit që mori pjesë në Konferencën e zhvilluar në Pokantiko të Nju Jorkut zotohet se do të zbatojë Paketën Ahtisari si kornizë të përgjithshme për shtetin e ri.

Ja se si i përshkroi këto sfida Presidenti Fatmir Sejdiu:

“Për ne, me rëndësi është përmbushja e obligimeve të para që dalin nga pakoja e Presidentit Ahtisari, nxjerrja e Kushtetutës së re, ndërtimi i një legjislacioni të nevojshëm dhe mënyra e organizimit tonë në kuptimin e veprimeve strategjike, bashkëpunimi me praninë e re civile në Kosovë, përshpejtimi i proceseve të intergrimit të Kosovës dhe në veçanti, anëtarësimi i saj në mekanizmat monetarë ndërkombëtarë dhe në OKB, funksionimi i mirë i shtetit ligjor. Ka rëndësi që në këtë periudhë të mbahet një kohezion i vazhdueshëm i të gjitha forcave politike.”

Udhëheqësit politikë të Kosovës patën rastin të dëgjojnë në Pokantiko diplomatë të vendeve që kanë kaluar nga një situata varësie në shtete të pavarura si Timori Lindor apo që kanë përjetuar një tranzicion drejt formimit të një shteti të ri si Afrika e Jugut dhe Afganistani. Kryeministri Agim Çeku thotë se kjo ishte një ndihmë për udhëheqësit e Kosovës:

“Duke dëgjuar ekspertët e vendeve të ndryshme që janë ballafaquar me situata të ngjashme, ne kemi kërkuar rrugët dhe mënyrat më të mira për zgjidhjen e këtyre sfidave të shtetësisë”

Wolfgang Petritsch, ambasadori i Austrisë në selinë e OKB-së në Gjenevë, i cili së bashku me ambasadorin amerikan Frank Wisner shërbeu si moderator i Konferencës, tha se çështja e bashkëjetesës me pakicat do të jetë me rëndësi të madhe për të matur përparimin e Kosovës në këtë periudhë kalimtare:

“Diskutuam çështjen shumë të rëndësishme të decentralizimit dhe se si të arrihet një harmoni e mirë me komunitetin serb. Të drejtat e njeriut për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera jo shqiptare do të jetë me rëndësi kritike, do të jetë kuti me të cilin Bashkimi Evropian do të masë ndihmën që do t’i japë Kosovës në rrugën e saj shumë të vështirë drejt një epoke të re. Por unë kam besim dhe konferenca e Pokantikos tregoi se mes udhëheqsve politikë ka një unitet qëllimi dhe se ata janë të përkushtuar për një Kosovë demokratike, të begatë dhe shumetnike.”

Në Konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit serb të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi tha se 120 ditët e para do të kenë rëndësi të madhe për Kosovën.

“Çështja numër një pas pavarësisë do të jetë se si ne do të dukemi. Pamja e parë është jashtëzakonisht e rëndësishme për botën demokratike në mënyrë që të kemi një fillim të suksesshëm. Do të kemi nxjerrjen e Kushtetutës menjëherë, do të kemi nxjerrjen e simboleve shtetërore unifikuese, nxjerrjen e ligjeve të domosdoshme, nxjerrjen e ligjit zgjedhor, organizimin e zgjedhjeve të lira, formimin e qeverisjes së re dhe lidershipit të ri të përgatitur dhe të përgjegjshëm për sfidat e ardhëshme në Kosovën e pavarur.”

Presidenti i Fondacionit Rockefeller Brothers, Stephen Heinz tha se konferenca arriti mjaft përparim:

“Mendoj se bëmë përparim të ndjeshëm. Mendoj se deklarata e Grupit të Unitetit është një dokument shumë i rëndësishëm që tregon se Grupi i Unitetit do të mbetet i bashkuar në përpjekjen më të rëndësishme që do të duhet të ndërmerret në javët dhe muajt e ardhshëm. Veç kësaj, po hartohet ndërkohë edhe një plan veprimi si rrjedhojë e Konferencës dhe që ne do t’ja dorëzojmë Prishtinës në të ardhmen e afërt. Gjithashtu, thotë zoti Heinz, ne do të flasim me qeverinë dhe me anëtarë të Grupit të Unitetit lidhur me ndihmën shtesë që atyre mund t’u nevojitet për të filluar të zbatojnë ato që dolën nga kjo konferencë.” //ad//

XS
SM
MD
LG