Lidhje

Nikolas Bërns: Pavarësia e mbikqyrur zgjidhja e vetme për Kosovën


Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Nikolas Bërns tha sot se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë për ta çuar Kosovën drejt pavarësisë, megjithë ndarjet që ekzistojnë në Këshillin e Sigurimit për statusin përfundimtar. Zoti Bërns i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë me shpejtësi në javët e ardhshme për të miratuar planin e të dërguarit të OKB-së për Kosovën.

Zyrtari i lartë amerikan i bëri komentet sot gjatë një dëshmie para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan. Zoti Burns tha gjatë dëshmisë së tij, se brenda disa javesh, Shtetet e Bashkuara do të paraqesin një rezolutë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Zyrtari i lartë amerikan sqaroi se rezoluta e re nuk do të shpallë pavarësinë e Kosovës, por do të shfuqizojë rezolutën 12-44.

Zoti Burns theksoi se Kombet e Bashkuara nuk krijojnë shtete të pavarura, por ato krijojnë kushtet, duke hequr pengesat politike e ligjore për krijimin e shteteve. Zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara presin që pas miratimit të rezolutës së re, udhëheqësit e Kosovës të shpallin pavarësinë dhe më pas shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera do të njohin shtetin e ri. Zyrtari i lartë amerikan theksoi se pavarësia e mbikqyrur është e vetmja zgjidhje për Kosovën.

Zyrartari i lartë amerikan po ashtu i bëri thirrje popullsisë shqiptare në Kosovë të respektojë plotësisht të drejtat e pakicave. Shtetet e Bashkuara, tha më tej zoti Burns, synojnë që procesi i statusit të Kosovës të përfundojë me sukses deri në fund të pranverës.

Duke folur sot për qëndrimin e Rusisë, gjatë dëshmisë së tij në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, zoti Burns theksoi se në takimet me zyrtarët rusë ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë bërë gjatë 8 vjetëve të fundit angazhimin më të madh me trupa, fonde dhe kapital politik. Do të ishin këto trupa, tha zoti Burns, që do të përballonin pasojat e pashmangshme të një shtyrje të statusit nga Këshilli i Sigurimit.

Zyrtari i lartë theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa shpresojnë se Rusia do të bashkëpunojë për të ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, që do të realizohej nga një rezolutë pozitive për Kosovën. Megjithatë, zoti Burns theksoi se çdo përpjekje për të bllokuar pavarësinë e Kosovës nuk do të ketë sukses, pasi pavarësia e saj është bërë, siç u shpreh ai, e pashmangshme.

Në seancën e sotme shumica e anëtarëve të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë e mbështetën pozicionin e administratës dhe kundërshtimi i vetëm erdhi nga ligjvenësi Dan Burton, i cili u shpreh për vazhdimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Në Kongresin amerikan, përkatësisht në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, janë paraqitur dy rezoluta të njejta që mbështesin pavarësinë për Kosovën.

Zyrtari i lartë amerikan tha se një Kosovë e pavarur do ta çlironte popullin e Serbisë si dhe shumicën shqiptare në Kosovë dhe ai i bëri thirrje Rusisë ta mbështesë këtë plan.

Udhëheqja e Serbisë kishte reaguar ashpër sot paradite ndaj një deklarate të djeshme të zotit Bërns se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesnin pavarësinë e Kosovës. Presidenti i Serbisë theksoi përmes një deklarate se një hap i tillë përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Zoti Bërns tha se kthimi i Kosovës nën kontrollin e Serbisë do të destabilizonte rajonin dhe do të ushqente terrorizëm. //rd//

XS
SM
MD
LG