Lidhje

Opozita i kërkon presidentit Moisiu të mos firmosë ligjin e gjobave


Kryeministri Sali Berisha u bëri sot thirrje qarqeve të biznesit që të bashkëpunojnë me qeverinë në përpjekjet për ta nxjerrë ekonominë e vendit nga informaliteti.

Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me Dhomën e Tregtisë dhe të Industrisë, ku theksoi se qeveria po ul taksat në mënyrë periodike, dhe se me ligjin e ri do të gjobiten për informalitet vetëm bizneset që shkelin rregullat. "Një qeveri si e jona, e cila merr përsipër që të ulë me 150 për qind taksat, nuk mund të ketë synim tjetër përvec lehtësimit të barrës së bizneseve. Bashkarisht duhet të vendosim që të dalim nga kjo situatë, sepse në fund të fundit, informaliteti është armiku juaj kryesor" - u tha kryeministri anëtarëve të Dhomës së Tregtisë.

Zoti Berisha tha se së shpejti biznesi shqiptar do të ketë barrën më të ulët fiskale dhe burokratike nga cdo vend tjetër i rajonit. Por opozita paraqet një pamje tjetër të ekonomisë shqiptare. Edhe Partia Socialiste zhvilloi një tjetër takim me grupe të biznesit. Opozita tha sot se do t'u bashkohet përpjekjeve për të rrëzuar ligjin e gjobave, që sapo u miratua në parlament.

Kryetari i PS, Edi Rama, u tha biznesmenëve se opozita është e shqetësuar për presionin që qeveria po ushtron ndaj tyre, dhe po përpiqet të rrëzojë nismën e njohur si ligji i gjobave. "Ne kemi bërë dhe do të bëjmë gjithcka që ta zmbrapsim këtë nismë, duke qenë pjesë e cdo përpjekjeje që do të bëhet qofë për të bindur presidentin që ta kthejë mbrapsht këtë ligj, i cili merr peng sipërmarrjen, qoftë duke qenë pjesë e përpjekjeve për ta rrëzuar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese" - tha zoti Rama.

Parlamenti miratoi dy ditë më parë mes polemikave të ashpra një ligj që parashikon dënime me gjoba për bizneset me veprimtari informale. Ligji që për qeverinë është "një mjet lufte kundër informalitetit", nga opozita vlerësohet si "një procedurë abuzive dhe antidemokratike, që mund të rrezikojë stabilitetin financiar të vendit". //rd//

XS
SM
MD
LG