Lidhje

Virxhinia Tek: Vrasjet ishin planifikuar me kujdes qysh më parë


Autoritetet në shtetin lindor të Virxhinias thonë nuk gjetën prova kritike në paketën me fotografi, materiale dhe video që personi i cili kreu masakrën e së hënës në Universitetin Virxhinia Tek i kishte dërguar rrjetit televiziv NBC.

Policia tha se paketa thjesht konfirmoi atë që hetuesit dinin për studentin 23 vjeçar Cho Seung Hui dhe për masakrën e së hënës.

Paketa përmbante fotografi, shkrime dhe pjesë filmike të Cho-së duke pozuar me armë, dhe duke mbajtur fjalime me një lumë të sharash. Ai ua vë fajin fëmijëve të pasur dhe ankohet se ndjehej i poshtëruar.

Vulat e postës në zarf tregojnë se Cho e ka postuar atë midis kohës kur ka vrarë dy studentet në konvikt dhe vrasjes së 30 studentëve dhe pedagogëve të tjerë në klasat e universitetit.

Ndërkohë, presidenti i Universitetit njoftoi se studentëve që u vranë të hënën do t’u jepen diploma pas vdekjes në ceremoninë e diplomimit ku ata do të kishin marrë pjesë po të ishin gjallë.

23-vjeçari Cho Seung-hui ishte student i vitit të fundit dhe thuhej se ishte njeri i vetmuar, i qetë dhe i shkëputur nga studentët e tjerë. Kampusi plot dhimbje po mëson tani më shumë rreth vrasësit që jetonte aty.

Në konviktin ku banonte, shokët e tij të dhomës thonë se ai fliste shumë rrallë. "Ai të përgjigjej vetëm me një fjalë, ishte i qetë dhe kurrë nuk më shikonte në sy”, thotë Joseph Aust:

Në vitin 2005, një pedagoge e anglishtes, Lucinda Roy, mori përsipër t’i jepte atij mësime në mënyrë individuale kur një profesor dhe një student tjetër vunë re se shkrimet e tij në lëndën e letërsisë krijuese ishin të çoroditura dhe të frikshme: "Kam 22 vjet që jap mësim dhe vetëm në nja dy raste kam menduar se kjo është diçka vërtet shqetësuese. Dhe ky ishte një nga këta raste."

Në atë kohë, dy vajza i kishin thënë policisë së universitetit se Cho i bezdiste, duke u bërë telefonata dhe duke u dërguar mesazhe elektronike. Shefi i policisë universitare Wendell Flinchum tregon se policët i kërkuan studentit të fliste me një psikolog: "Pas kontaktit me psikologun, studenti me orgjinë koreane u dërgua në një klinikë psikiatrike."

Cho Seung-hui shkruante poezi dhe drama që ishin plot me skena të dhunës ekstreme dhe vrasje. Ekspertja e sjelljeve agresive Dr. Pamela Blake, ka patur rast të studiojë shkrimet e Cho-së: "Ato ishin rrënqethëse, të frikshme dhe të çoroditura dhe pasqyronin ndjenjat e tij agresive."

Por policia dhe psikologët thanë se ata nuk mund ta mbanin më gjatë të ndaluar studentin: "Shkrimet nuk pasqyronin ndonjë synim për të kërcënuar dhe nuk bënin aluzion për aktivitet kriminal."

"Argumenti im ishte se ai dukej mjaft i çoroditur prandaj ne duhet të bënim diçka", thotë profesorja.

U desh të vdisnin 32 vetë para se Cho të vriste veten. Masakra filloi në mëngjesin e së hënës me vrasjen në konvikt të studentes së vitit të parë Emily Hilscher dhe të një konsulenteje. Më shumë se dy orë më pas, Cho hyri në një ndërtesë me klasa ku qëlloi për vdekje 30 vetë të tjerë. Gjatë këtyre dy orëve, Cho shkroi manifestin e tij makabër dhe e hodhi në kutinë postare për të rifilluar pastaj vrasjet. Rrjeti televiziv NBC e mori paketën dje dhe aty ishin imazhet e Cho-së duke lexuar një deklaratë për veprimet që kishte ndërmend të kryente. //rd//

XS
SM
MD
LG