Lidhje

Shqipëri: KQZ vendos përsëritjen e zgjedhjeve në 21 zona


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot përsëritjen e zgjedhjeve për pushtetin vendor në datën 6 maj për 21 zona, midis të cilave edhe qyteti i Elbasanit. Në një mbledhje të tensionuar dhe të pazakontë në fundjavë, KQZ vendosi të përfshijë Elbasanin në listën e zonave me parregullsi, ku duhen përsëritur zgjedhjet vendore me 5 vota pro dhe 4 kundër. Në zgjedhjet e 18 shkurtit një qendër votimi në Elbasan u shpall e pavlefshme dhe kjo nxorri të pavlefshme gjithë qytetin.

Disa nga anëtarët mbrojtën pikëpamjen se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për Elbasanin nuk mund të rishqyrtohej nga KQZ, dhe se kandidati socialist ishte fitues. Ata shkëmbyen replika të ashpra me kolegët e tjerë që shpjeguan se Kolegji Zgjedhor nuk është shprehur për përsëritjen e zgjedhjeve, por pavlefshmërinë e tyre, duke lënë të hapur rrugën KQZ për rishqyrtim.

Partisë Socialiste deklaroi se do të ankohej në gjykatë "për këtë akt arbitrar" të KQZ. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Ben Blushi, tha se vendimi i sotëm është "i paimagjinueshëm dhe banditesk", dhe se PS do të apelojë këtë vendim në Kolegj Zgjedhor. Zoti Blushi tha për shtypin se KQZ nuk mund të anullojë vendime të Kolegjit Zgjedhor, dhe se kjo ishte një përpjekje për të rrëmbyer një fitore të socialistëve në një nga qytetet e mëdha, sic është Elbasani./al/

XS
SM
MD
LG