Lidhje

Vizita e misionit faktmbledhës në Kosovë


Ambasadorët e Këshillit të Sigurimit nisen këtë javë në një mision faktmbledhës në Ballkan në kuadrin e shqyrtimit të statusit të ardhshëm për Kosovën. Delegacioni do të takohet me zyrtarët në Prishtinë dhe në Beograd.

Delegacioni i Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh do të ndalet së pari në Vjenë dhe në Bruksel para se të shkojë në rajon. Kryetari i tij, ambasadori i Belgjikës në OKB, Johan Verbeke, thotë se vizita gjashtëditëshe do të përfshijë bisedime me udhëheqës të Serbisë si dhe me krerët e qeverisë së përkohëshme të Kosovës dhe me udhëheqës të komuniteteve pakicë. ”Do të shikojmë se si është gjendja atje, pra do të informohemi plotësisht në mënyrë që të justifikojmë shpresat e Këshillit të Sigurimit dhe të veprojmë në mënyrë të përgjegjshme për një çështje e cila është natyrisht delikate", tha zoti Verbeke.

Anëtarët e Këshillit u informuan me këtë rast rreth gjendjes në Kosovë nga zoti Zhan Mari Geno, shef i Operacioneve Paqeruajtëse të OKB-së. Zoti Geno tha se u kishte deklaruar anëtarëve të delegacionit se ata përballen me vendime të vështira rreth përparimit të realizuar që nga viti 1999 kur Kosova u vu nën administrimin e UNMIK-ut. "Kjo do t’i lejojë ata të shikojnë me sytë e tyre se cila është gjendja, megjithë vështirësitë e saj. Nuk u dhashë një tablo optimiste por në të njëjtën kohë përshkrova me ndershmëri përparimin e bërë në aspekte të ndryshme, pra me gjithë të mirat dhe të këqijat", tha zoti Geno.

Në mision do të jetë edhe ambasadori i ri amerikan në OKB, Zalmay Khalilzad, për të cilin kjo është java e parë e punës në organizatën botërore. Ai e quajti pjesmarrjen e tij shenjë të rëndësisë që Uashingtoni i jep kësaj çështjeje. "Është shumë e rëndësishme sepse Ballkani është një tjetër rajon i botës që ka qenë burim i një pasigurie të madhe. Ndonjëherë, kur problemet lihen të mahisen për një kohë të gjatë dhe jashtë vemendjes, kjo mund të çojë në probleme më të mëdha. Prandaj ka shumë rëndësi që çështja e Kosovës të mbyllet me sukses. Mezi pres të filloj udhëtimin," tha ambasadori Khalilzad.

I pyetur se cili do të jetë mesazhi që do t’i dërgohet popullit të Kosovës, ambasadori u përgjigj: "Mesazhi është se ka ardhur koha që kjo çështje të mbyllet".

Rusia e kundërshton me forcë planin e zotit Marti Ahtisari që propozon pavarësi për Kosovën. Zëvendësministri i jashtëm, Vladimir Titov u citua nga agjencotë ruse të lajmeve të ketë thënë se Moska nuk do ta pranojë planin Ahtisari për shkak të kundërshtimit nga Serbia. Ishte Rusia ajo që kërkoi vizitën e delegacionit të Këshillit të Sigurimit në rajon dhe anëtar i delegacionit është edhe ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin.

Para nisjes, ambasadori Çurkin shprehu shqetësim rreth gjendje së sigurisë për komunitetet pakicë në një rajon ku mbizotëron popullsia shqiptare. "Dy elementët më të theksuar të gjendjes që ne duhet t’i kemi parasysh kur të shqyrtojmë çështjen është fakti që shumë pak serbë janë kthyer në Kosovë pas ngjarjeve të vitit 1999, dhe se nuk ekzistojnë kushtet normale për jetën e pakicave etnike." Delegacioni pritet të kthehet në Nju Jork para ditës së hënë dhe do të përgatisë një raport mbi faktet e mbledhura. //rd//

XS
SM
MD
LG