Lidhje

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian takohet në Ankara me kryenegociatorin bërthamor të Iranit


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Javier Solana dhe kryenegociatori bërthamor i Iranit Ali Larijani u takuan sot bisedime, të cilat synojnë ta sjellin Teheranin përsëri në tryezën e negociatave për programin e tij bërthamor.

Takimi i tyre në Ankara të Turqisë, është i pari takim i drejt-për- drejtë midis të dyve që kur Kombet e Bashkuara vendosën sanksionet shtesë kundër Iranit në muajin mars pasi ky i fundit refuzoi të ndalte pasurimin e uraniumit.

Para bisedimeve, zoti Larijani tha se shpresonte të dëgjonte ide të reja nga zoti Solana, i cili nga ana e tij tha se bisedimet kanë si synim krijimin e kushteve për negociata serioze.

Takimi vjen pas spekulimeve se Washingtoni dhe parnerët e tij që po merren me këtë çështje mund të arrijnë një marrëveshje kompromisi që do ta lejonte Iranin të vazhdojë disa nga aktivitetet e ripërpunimit të uraniumit.

Por zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tom Casey, i hodhi poshtë sot njoftimet, duke thënë se “pezullimi është pezullim”. Ai tha se nuk ka ndryshim në politikën amerikane mbi aktivitetet e pasurimit të uraniumit, pra pezullimi i programit iranian të pasurimit është kushti që duhet të plotësojë Irani në përgatitje për të zhvilluar negociata me komunitetin ndërkombëtar për programin e tij bërthamor. //iç//

XS
SM
MD
LG