Lidhje

Si funksionojnë qeveritë lokale në Amerikë


Për shumicën e amerikanëve, qeveritë në qytetet apo rajonet e tyre, të njohura si komuna, janë qeveritë me të cilat ata komunikojnë më së shumti. Por krahas qeverive lokale ekzistojnë edhe grupe qytetarësh, të cilët i kërkojnë qeverive të bëjnë ndryshime me synimin për të përmirësuar jetën e tyre. Në materialin në vazhdim bëhet fjalë sesi tragjedia e një familjeje nxiti banorët në një qytet të komunës së Montgomerit në shtetin e Merilandit të bashkoheshin për të kërkuar forma më të mira sigurie.

Trafiku i rrezikshëm shkaktoi vdekjen e një të riu. Dhe qyteti u përgjigj. Në komunën e Montgomerit në shtetin e Merilandit në periferi të kryeqytetit amerikan Uashington, ndodhet qyteti Geret Park. Rruga kryesore në mes të qytetit është bulevardi Strathmor, i ngarkuar me trafik. 12 vjeçari Luk Kartër Shelp u përpoq të kalonte këtë rrugë mes makinave që ecnin me shpejtësi në një natë me shi. Ai humbi jetën.

Vdekja e djaloshit 12 vjeçar u pasua me një reagim të ashpër nga banorët e qytetit Geret Park, ku është krijuar një shoqatë qytetarësh. Xhin Brentlli është një prej udhëheqësve të shoqatës. “Shoqata është zëri i banorëve. Ky është mekanizmi që ne përdorim për të bashkuar njerzit kur ekziston një çështje e veçantë shqetësuese për të gjithë qytetin.” Banorët e Geret Park u kërkuan zyrtarëve të komunës dhe të shtetit të Merilandit që të mernin pjesë në një mbledhje për të diskutuar sigurinë nëpër rrugët e qytetit.

Shteti i Merilandit kontrollon bulevardin Strathmor, por policia e komunës zbaton ligjet e trafikut. Mbledhjes së banorëve të qytetit ia dha tonin nëna e Lukës, Valleri Kartër Shelp. “Në bulevardin Strathmor janë shtuar shumë aksidentet e kalimtarëve, veçanërisht fëmijëve.” Dy fëmijë të tjerë në qytetin Geret Park u goditën nga makinat rreth një vit më parë. Disa banorë fajësojnë policinë. “Oficerët e policisë nuk ndalojnë shkelësit e ligjeve të trafikut. Ju lutemi, kërkojuni atyre të japin gjoba”, thotë një banor.

Shefi i policisë së komunës së Montgomerit, Tom Menxhër, u përgjigj pa vonesë. “Në bulevardin Strathmor do të shtohet prania e policisë dhe kjo bëhet sepse ekziston nevoja për një gjë të tillë.” Por banorë të tjerë të qytetit kërkojnë më shumë sesa shtimin e pranisë së policisë. Ata bënë thirrje për një ndryshim dramatik të rregullave të trafikut në bulevardin Strathmor.

Meqë vendosja e semaforëve duhet të miratohet nga shteti i Merilandit, ligjvënësi i shtetit, Bill Bronrott u zotua të mbështesë banorët për t’u bërë presion zyrtarëve shteterorë, që meren me autostradat. “Jam gati të punoj me ju për të gjetur një zgjidhje. Unë do të punoj që zëri juaj të dëgjohet nga autoritetet shtetërore, që ata ta dinë se si ndihemi ne rreth sigurisë në rrugë”, thotë Bronrott.

Një prej banorëve të Geret Park parashtroi një strategji për t’i bindur zyrtarët shtetërorë të pranojnë ndryshimet e nevojshme. “Mendoj se do të ishte me dobi të shkruanim letra dhe të nënshkruanim peticione. Kur ke të bësh me departamentin e transportit të autostradave në nivel shtetror, zyrtarët shtetrorë duhen bindur që vendosja e semaforëve shtesë është hapi i duhur.” Edhe shumë kohë pas mbledhjes së qytetit, shoqata e qytetarëve të Geret Park vazhdoi përpjekjet për vendosjen e semaforit shtesë në bulevardin Strathmor. “Ju bëj thirrje që të mos hiqni dorë nga përpjekjet për vendosjen e një semafori plotësisht funksional.” Përpjekjet e banorëve përfunduan me sukses 3 muaj pas vdekjes së 12 vjeçarit Luk Kartër Shelp, kur zyrtarët shtetrorë të autostradave pranuan të instalojnë semaforin e ri. Ndonëse jo çdo nismë e qytetarëve përfundon me ndryshimin e mënyrës sesi funksionon qeveria, banorët e qytetit Geret Park e arritën objektivin e tyre. //rd//

XS
SM
MD
LG