Lidhje

Mijëra serbë mblidhen në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë


Organizuesit thanë se prisnin 12 mijë deri në 15 mijë refugjatë serbë të mblidheshin në fshatin Rudnica, ku ata kishin ngritur dhjetra çadra. Ata që ishin aty e mbushën zonën me flamurë serbë dhe me pankarta me sllogane si Kthim i menjëhershëm.

“Ata duan të protestojnë dhe të pasqyrojnë vështirësitë e tyre, që janë lënë pa përgjigje për 8 vjet,” tha Nebojsha Aleksiç, një prej organizatorëve të manifestimit.

Mes të shpërngulurve ishte edhe 26 vjeçari Dragan Gemanjeviç, i cili iku nga Fushë Kosova në vitin 1999 dhe tani jeton në qytetin Leposaviç në veri.

“Tani kushtet nuk janë të përshtatshme për t’u kthyer, por sapo të përmirësohen kushtet unë do të kthehem. Nuk dua të jetoj në Serbi. Shtëpia ime është në Kosovë. Kam lindur atje dhe dua të kthehem atje e të jetoj si më parë, i lirë të eci nëpër rrugë, të shkoj në kinema dhe në koncerte,” tha Dragani.

Refugjatët serbë u mblodhën për t’i dërguar një mesazh delegacionit të OKB-së, për t’i thënë atij se duan të kthehen në shtëpitë prej të cilave u detyruan të iknin pas luftës më 1998-1999.

Rreth 200 mijë serbë ikën ose u detyruan të iknin gjatë një periudhe sulmesh hakmarrëse nga shqiptarët, që pasuan luftën midis forcave serbe dhe separatistëve të armatosur. Vetëm një numër i vogël janë kthyer dhe shtëpitëe tyre janë rindërtuar. Disa prej serbëve, që u kthyen, janë përballur me sulme.

Në qytetin e ndarë të Mitrovicës, trupat franceze të NATO-s vazhdojnë të patrullojnë si zakonisht.

Udhëheqësi i serbëve të Kosovës Oliver Ivanoviç shprehu nevojën për përmirësimin e kushteve të jetesës për pakicën serbe.

"Ka rëndësi që delegacioni i Këshillit të Sigurimit të vizitojë të gjitha ato vende në Kosovë ku serbët jetojnë në kushte shumë të vështira. Leximi i raporteve nuk është mënyra më e mirë për t’u informuar mbi gjendjen. Nuk mendoj se situata është pjekur për statusin por statusi duhet të vijë në fund, kur të jenë zbatuar standardet dhe kur të gjitha palët të jenë të gatëshme të diskutojnë dhe të bisedojnë rreth një statusi të përshtatshëm i cili nuk e destabilizon rajonin,” tha zoti Ivanoviç.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të Bashkimit Evropian mbështesin planet për t’i dhënë më në fund Kosovës pavarësinë, por Rusia me të drfrejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, kryeson një grup vendesh që kundërshtojnë pavarësinë, mes shqetësimeve se një hap i tillë do të krijonte një precedent ndërkombëtar për rajone të tjera, që kërkojnë të shpallin pavarësinë.

Mes 5 vendeve me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit ekzistojnë qëndrime të ndryshme. Statusi i Kosovës është një mosmarrëveshje tjetër në marrëdhëniet gjithnjë e më të vështira midis Perëndimit dhe Rusisë.

Zyrtarë amerikanë dhe të Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se shtyrja e një rezolute mbi statusin e Kosovës mund të nxisë një raund tjetër dhune ndër-etnike midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe.

Zyrtarët serbë, që shpresojnë se plani Ahtisari do të hidhet poshtë, janë përpjekur të bindin ambasadorët e Këshillit të Sigurimit që të përqëndrohen në kushtet e vështira të pakicës serbe në Kosovë. //ze//

XS
SM
MD
LG