Lidhje

Programi Hope Fellowship zgjeron veprimtarinë në Ballkan


Programi Hope Fellowship, i financuar nga agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar, USAID, po përgatitet të fillojë fazën e tretë, në tetor të këtij viti. Gjatë kësaj faze, ky program, i cili zbatohet nën kujdesin e Këshillit kombëtar shqiptare amerikane, do të shtrihet në Shqipëri, Maqedoni e Mal të zi, krahas vazhdimit të punës në Kosovë. Drejtoresha Cheryl Schoenberg, thotë se programi Hope Fellowship edhe gjatë fazes së tretë do të vazhdojë të përqëndrohet në nxitjen dhe përgatitjen e grave për poste drejtuese në sektorin publik e privat. Por gjatë një interviste me kolegun tone Astrit Lulushi, zonja Schoenberg tha se përparimi i grave ka nevojë edhe për ndihmën e burrave.

Zëri i Amerikës: Sa i rendesishëm është programi Hope Fellowship për rajonin dhe cilat janë disa nga sfidat që ndesheni?

Cheryl Shoenberg: Besoj se programi Hope Fellowship është shumë i rendësishëm për rajonin e Ballkanit, Nga vlersësimet e programit tonë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të zi del se pjesmarrësit e mundshëm që kërkojnë të ndjekin kurset tona janë në nivele të larta manaxhimi si në qeveri e në shoqërinë civile, pronarë bisnesesh të vogla, sipërmarrës dhe që janë kryesisht gra. Të gjitha ato thonë se programi ynë është tepër i rëndësishëm, për arsye të mundësive të pakta ose mungesës së plotë të mundësive për grate që të zënë poste të larta në drejtim e udhëheqjeje. Nëpërmjet kurseve tona ne i përgatisim ato se si t’a dallojnë e ta luftojnë korrupsionin apo shpërdorimin e fondeve ose posteve drejtuese.

Zëri i Amerikës: Për të arritur të gjitha këto, ju sigurisht keni nevojë për bashkëpunimin ose ndihmën e autoriteteve vendore a qëndrore. Si ka qënë ky bashkëpunim?

Cheryl Shoenberg: Bashkëpunimi ka qënë i përsosur, si me agjencitë vendore edhe ato qëndrore. Në të gjitha fushat ku shtrihet programi ynë, ne u kemi paraqitur zyrtarëve të të gjitha niveleve synimet tona; që gratë të përparojnë në shoqëri krahas burrave. Shpesh këta zyrtarë, drejtues biznesesh e drejtues vendorë na ndihmojnë duke na rekomanduar gra e vajza që një ditë mund të bëhen drejtuese të suksesëshme.

Zëri i Amerikës: Si mundet programi Hope Fellowship, t'u vijë në ndihme pjesmarrësve të cilët në varësi nga shqoqeria ku jetojnë ato ndeshen nevoja e probleme të ndryshme?

Cheryl Shoenberg: Ne kemi programe të caktuara për çdo vend a rajon ku shtrijmë veprimtarinë tonë. Ne e kutojmë se njerëzit që jetojnë në shoqëri të ndryshme kanë nevoja të ndryshme dhe ndeshen me probleme të ndryshme. Dhe këto nevoja ne i zbulojmë duke folur me pjesmarrësit e mundshëm në kurset tona dhe në bazë të këtyre thënieve ne përpilojmë programin e kurseve kualifikuese.

Zëri i Amerikës: Pas kaq vitesh të programit Hope Fellowship, cilat janë rezultatet e programit në rajon dhe si i masni ato?

Cheryl Shoenberg: Suksesin e programit ne e masim duke ndjekur punën e pjesmarrësit në program. Dua të them se kur ata përfundojnë kurset ne kemi këshilltarë apo instructorë që ndjekin përparimin e tyre dhe për t’i ndihmuar të vënë në jetë ato që kanë mësuar. Gjithashtu edhe gjatë kurseve, mësimet shpesh zhvillohen në terren në një qëndër pune a komunitet, dhe gjatë këtij procesi pjesmarrësve u jepet si detyrë një projekt që ata duhet ta realizojnë në praktikë dhe pastaj vlerësohen nga drejtuesit e kursit. Në këtë mënyrë pjesmarrësit mësojnë dhe vënë në jetë në shërbim të publikut ato që mësojnë, duke bërë që përfitimet të jenë të ndërsjella si për ata edhe për shoqërinë në përgjithësi. Ne gjithashtu zhvillojmë anketa të shpeshta mes opinionit dhe reagimet kanë qënë të mira; pra gratë e vajzat që përfundojnë programin tone sjellin ndryshime positive në shoqëri e në vendet ku punojnë.

Zëri i Amerikës: Hope Fellowship ka një traditë që përfshin kryesisht gra të reja e vajza në program, dhe a nuk do të ishte mirë që në këtë program të përfshiheshin edhe burra, pasi nga qëndrimi apo sjellja e tyre varet shpesh edhe mirëqënia ose suksesi i grave.

Cheryl Shoenberg: Tani programi ynë përfshin jo vetëm gra, por edhe burra. Ne e kuptojmë se burrat janë pjesë e rëndësishme e procesit të përparimit të grave. Hope Fellowship hyn tani në fazën e tretë ku ne po përqëndrohemi për të përfshirë të rinj e të reja veçanërisht nga radhët e studentëve, të cilët duan të rrisin aftësitë e tyre për trajtimin e çështjeve shoqërore. Gjithashtu dua të theksoj se here pas here zhvillojmë seminare të përbashkëta ku pjesmarrësit nga të gjitha trojet shqiptare të Ballkanit Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të zi, takohen për të shkëmbyer përvojën dhe për të hedhur baza për bashkëpunim në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG