Lidhje

Verbeke: Në Prishtinë kam marrë mesazh besimi


Johan Verbeke, kryesues i delegacionit të ambasadorëve të Kombeve të Bashkuara tha sot në përfundim të vizitës në aeroportin e Prishtinës, se synimi i vizitës ishte për të qenë plotësisht të informuar në prag të një vendimi shumë të rëndësishëm.

Zoti Verbeke tha se ka marrë në Prishtinë një mesazh besimi dhe një pikëpamje të artikuluar për politikat e ardhshme. Ambasadori belg tha gjithashtu se takimet ishin interesante dhe se mesazhi më i rëndësishëm që kanë marrë është se ekziston besimi dhe vullneti për të ndërtuar një shoqëri të fortë shumëetnike, për të punuar për të ardhmen, për të mbajtur angazhimet, në mënyrë që të gjitha komunitetet të punojnë së bashku për të ardhmen.

Synimi për të patur një pamje të plotë është arritur, vizita ishte një vlerë më shumë për vlerësimet që do të bëhen në të ardhmen, tha ai, duke shtuar se ambasadorët kanë tani një kuptim më të mirë të gjendjes, por nuk do të nxjerrin konkluzione që tani.

Zoti Verbeke pohoi gjithashtu se ambasadorët do të takohen sonte në Vjenë me zotin Ahtisari dhe javën tjetër do ti raportojnë Këshillit të Sigurimit. Ambasadori Verbeke tha se ka ndjerë se ka potencial të mjaftueshëm për besim të ndërsjellë dhe bashkëpunim, për ta bërë Kosovën shoqëri shumëetnike. Ai nuk dëshiroi të vinte afate kohore për marrjen e vendimit në Këshillin e Sigurimit, ndërkohë që I pyetur për mundësinë e rinegociimit të planit të Ahtisarit, theksoi se ajo që është në tryezë tani është plani i zotit Ahtisari.

“Në këtë fazë, ajo që është në tryezë është plani i Ahtisarit, sic është sjellë në Këshillin e Sigurimit, përmes letrës së sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Mun. Kjo është ajo që është në tryezë. Do të fillojmë të shohim atë që është në tryezë, dhe prej aty përmes vlerësimeve, do të shohim ku do të na çojë”, tha kryesuesi i delegacionit, ambasadori belg, Verbeke.//lk

XS
SM
MD
LG