Lidhje

Transparensi: Partitë politike shqiptare fshehin burimet financiare


Në Shqipëri partitë politike vazhdojnë të fshehin të dhënat reale të financimeve të tyre vecanërisht gjatë fushatave elektorale. Ky është përfundimi i një studimi të bërë nga Transparency International Albania, i bërë publik sot në Tiranë. Sipas të dhënave rezulton se niveli i informacionit mbi financimet që marrin forcat politike është tejet i ulët, ndersa vete partite dhe bizneset qe i mbeshtesin jane sipas studimit, me pak
te interesuara per te bere transparence

Në një kohë kur partitë politike, në pushtet apo në opozitë, prej vitesh për nevojën e luftës kundër informalitetit dhe transparencës, ato rezultojnë të jenë të parat që fshehin financimet që marrin, vecanërisht gjatë fushatave elektorale. Kjo rezulton tashmë jo vetëm nga një perceptim i përgjithshëm publik, por edhe në bazë të një studimi të kryer nga Transparency International Albania e cila për një periudhë dy vjcare ka vëzhguar marrëdhëniet financiare të partive politike, si në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 ashtu dhe në ato të 18 shkurtit të këtij viti. Zyrtarisht për zgjedhjet e fundit partia demokratike ka deklaruar në komisionin Qendror të Zgjedhjeve se ka shpenzuar mbi 340 mijë dollarë nga të cilat pak më shumë se gjysma janë mbuluar nga fondet e buxhetit të shtetit. Ndërsa socialistët në opozitë ka deklaruar se kanë shpenzuar mbi 450 mijë dollarë, nga të cilat fondet e buxhetit të shtetit janë më pak se gjysma. Por sipas drejtorit të Transparency në Tiranë Kreshnik Spahiu deklarimet e partive për financimet vazhdojnë të jenë të dyshimta:

"Zgjedhjet e 18 shkurtit i kanë thyer të gjitha rekordet, madje edhe bastet e vendosura në lidhje me paratë e shpenzuara në histroinë e fushatave elektorale si dhe standarteve të vendosura dy vjet më parë në 3 korrik. Deklarimet e burimeve të financimit dhe shumat përkatëse për partitë e mëdha (PD, PS dhe pjesërisht LSI)
vazhdojnë ashtu si më 3 korrik të jenë sërisht të dyshimta dhe jo në përputhje me shpenzimet faktike dhe reale të tyre"


Sipas studimit niveli i informacionit mbi financimin e partive politike është shumë i ulët. Grupet e pyetura përfaqësues të forcave politike, biznesit, medias dhe shoqërisë civile, vlerësojnë me një notë jo kaluese, mesatarisht 3.46 informacionin që ato kanë. Drejtuesit e Transparency vlerësojnë se në kundërshtim me kushtetutën dhe detyrimet ligjore partitë financohen me para në dorë duke shmangur veprimet bankare si dhe nuk dorëzojnë bilancet e tyre ne zyrën e tatimeve.


Burimet kryesore të financimit të partive sipas studimit mbeten ato nga sipërmarrja private që sipas studimit përfaqësojnë gjysmën e totalit të vlerave monetare që shpenzohen, pjesa tjetër nga buxheti i shtetit dhe një përqindje e vogël nga kuotizacionet apo kontributet e anëtarësisë.Një element tjetër shqetësues që dle nga studimi është fakti se vetë partitë politike por edhe biznesi që i mbështet ata janë shumë pak të interesuara për të bërë transparencë:

"Partitë dhe biznesi nuk kanë asnjë lloj interesi për të bërë transparencë dhe përpjekjet e tyre vlerësohen përkatësisht me notën 3 dhe 4, pra me një notë jo kaluese. Sa më të përfshirë në financime, aq më pak interes për të bërë transparencë. Ky është biznesi shqiptar I cili nga njëra anë mbush mbi gjysmën e xhepave të partive
dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë interes për ta bërë publike këtë kontribut me qëllim që ai të kthehet në favore pas përfundimit të fushatave"


Transparency International sugjeron hartimin e një ligji të rreptë ku të parashikohen edhe sanksione ndaj forcave politike në rast të fshehjes së financimeve. Aktualisht Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është institucioni ku ato duhet të japin llogari, por këtij organi nuk i njihet e drejta për të hetuar mbi vërtetësinë e deklarimeve që partitë dorëzojnë pranë tij.

XS
SM
MD
LG