Lidhje

Shqipëri: Ndërhyrja e Brukselit shtyn procesin e miratimit të ligjit 


Në Shqipëri, projektligji për transmetimet numerike do të diskutohet edhe me ekspertët e komisionit europian përpara se ai të kalojë për votim në parlament.

Shkak për këtë vendim të shumicës së djathtë në pushtet është bërë një kërkesë e Brukselit, e dy ditëve më parë, drejtuar kryetares së parlamentit Jozefina Topalli por edhe kryeministrit Sali Berisha, në mënyrë që projekti të përshtatet sipas standarteve europiane. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe një takim i realizuar dje mes kryetares së parlamentit dhe ambasadorit Lohan, të Komisionit Evropian në Tiranë.


Në të vërtetë disa javë më parë, Komisioni i Medias kishte miratuar një plan veprimi i cili parashikonte hartimin e ligjit brenda 6 muajve, me asistencën e ekspertëve të Komisionit europian dhe ky plan i ishtë dërguar Brukselit me miratimin e zonjës Topalli. Por në mënyrë të papritur, një nismë e një grupi deputetësh të partisë demokratike i përshpejtoi zhvillimet.


Këmbëngulja për miratimin brenda 10 ditëve të një ligji për transmetimet numerike solli përplasje me opozitën, dhe shumica e djathtë, të hënën e kaluar hoqi dorë nga votimi vetëm në momentin e fundit për t'i hapur rrugë një procesi bashkëpunimi me opozitën. Një grup pune me përfaqësues të të dy krahëve në Komisionin e Medias pritej që dje të paraqiste një projekt të ri, por ndërhyrja e Brukselit e ka shtyrë këtë proces edhe për pak javë të tjera. Kryetarja e parlamentit Topalli pritet te dergoje keto dite ne Bruksel projektin qe do t'i nenshtrohet shqyrtimit te eksperteve evropiane.

XS
SM
MD
LG