Lidhje

SHBA: Fazë e re në përplasjet me Kongresin mbi luftën në Irak


Përplasjet ndërmjet Presidentit Bush dhe Kongresit amerikan për të financuar luftën në Irak kanë hyrë në një fazë të re. Presidenti pritet t’i vërë veton një projekt-ligji që e lidh financimin e operacioneve ushtarake me planet për tërheqjen e trupave. Të dyja palët po përdorin një ton të prerë ndërkohë që përgatiten për të filluar nga e para procesin legjislativ:

Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs thotë se administrata e Presidentit Bush mund të pranojë një variant të rishikuar të projektligjit që përfshin objektiva specifike për qeverinë irakiane në fusha që nga ndarja e burimeve energjetike e deri tek reformat kushtetuese. "Për sa u përket objektivave, të mos harrojmë se këto janë pikësynime që qeveria irakiane ia ka vënë vetes," tha zonja Rajs.

Gjatë një interviste për programin televiziv This Week të rrjetit ABC, Sekretarja e Shtetit Rajs paralajmëroi se çdo ligj që ndëshkon irakianët se nuk kanë arritur t’i përmbushin këto objektiva do t’u hiqte komandantëve ushtarakë dhe diplomatëve amerikanë elasticitetin e nevojshëm për të përmbushur detyrat e tyre. "Problemi qëndron në faktin se nëse specifikon pasoja lidhur me përmbushjen e këtyre objektivave, atëherë ua lidh duart komandantit ushtarak amerikan në Irak, gjeneralit Petreas dhe ambasadorit amerikan Kroker".

Zonja Rajs i bëri këto komente, ndërkohë që Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë përgatiten për një ballafaqim të dytë legjislativ mbi Irakun. Projektligji për fondet e luftës në shumën 124 miliardë dollarë, i cili u miratua javën e kaluar në Kongres, përfshin një plan kohor për tërheqjen nga Iraku dhe pritet që Presidenti t’i vërë veton sapo të mbërrijë në Shtëpinë e Bardhë, ndoshta që të martën. Më pas vëmendja do të kalojë tek një projektligj zëvendësues.

Demokratë me peshë kanë lënë të kuptohet se varianti i dytë i projektligjit mund të mos përfshijë afatin kohor për tërheqje, dhe të ketë objektiva për qeverinë irakiane për të çuar përpara procesin e ripajtimit kombëtar. Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit me pikëpamje të forta kundër luftës po i bëjnë thirrje udhëheqjes së partisë të sigurohet se ky ligj i ri do të ushtrojë presion të mjaftueshëm ndaj irakianëve të ndërmarrin masa që do t’u jepnin trupave amerikanë mundësinë të kthehen në atdhe.

Senatori demokrat Xhon Mërtha, i cili kryeson nën-komisionin përgjegjës për shpenzimet ushtarake i tha rrjetit televiziv CBS në programin Face the Nation se objektivat pa pasoja janë të pakuptimta. "Objektivat, i kanë pranuar irakianët dhe i ka pranuar edhe Presidenti. Ne po i themi Presidentit, t’i bëjmë këto objektiva më të imponueshme."

Në emisionin Late Edition të rrjetit CNN, ministri i jashtëm irakian Hoshiar Zebari i bëri thirrje Kongresit të punojë me administratën e Presidentit Bush lidhur me çështjen e financimit të luftës. "Ne e ndjekim këtë debat me interes të madh dhe unë mendoj se ka qenë shumë i pavlerë, duke e lidhur financimin e trupave me një plan specifik kohor."

Zoti Zebari tha se qeveria irakiane nuk ka menduar asnjë herë se angazhimi amerikan do të jetë i pafund. Ai tha se irakianët e kanë të qartë se, në fund të fundit, ata vetë janë përgjegjës për fatin e tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG