Lidhje

Daniel Sërver: Në fazën e tanishme të procesit të statusit shqiptarët e Kosovës duhet të jenë tepër të kujdesshëm


Në deklaratën e përbashkët pas takimit të nivelit të lartë mes Shtetve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, thuhet se çështja më urgjente e Ballkanit Perëndimor tani është zgjidhja e statusit të Kosovës, që do t’i shërbente dinamikës së zhvillimeve dhe stabilitetit të gjithë rajonit. Në deklaratë thuhet më tej se vendimi i BE-së për krijimin e një organi evropian për Sigurimin dhe Mbrojtjen, si dhe një mision për shtetin ligjor është i mirëpritur dhe po ashtu pritet me kënaqësi pjesëmarrja amerikane në këtë mision. Shtetet e Bashkuara u shprehën në fund të javës së kaluar se me ose pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara Kosova do të jetë e pavarur dhe Rusia duhet të mbështesë një marrëveshje që mbron pakicat sërbe në atje. Për këto dhe çështje të tjera lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, kolegia Isabela Çoçoli bisedoi me Daniel Server të Institutit amerikan të Paqes.

Zëri i Amerikës: Zoti Server, megjithë misionin fakt-mbledhës të Këshillit të Sigurimit, që vizitoi Kosovën në fund të javës së kaluar sipas sugjerimit të Rusisë, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se me apo pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara Kosova do të jetë e pavarur. Ç’farë vlerësimi do t’u bënit këtyre zhvillimeve dhe a po përpiqet Rusia të pengojë ç’farë është e pandalshme?

Daniel Server: Mendoj se amerikanët duhet të përcaktojnë se cili duhet të jetë hapi tjetër. Në qoftë se nuk miratohet razoluta në Këshillit e Sigurimit, shpallja dhe njohja e njëanëshme e pavarësisë përbëjnë njëvariant të zgjidhjes së çështjes që do ta ndiqnin jo vetëm Shtetet e Bashkuara por edhe një numër vendesh të tjera për të stabilizuar gjendjen dhe për të parandalur dhunën në Kosovë. Për sa i përket Rusisë mendoj se ajo po përpiqet të forcojë pozitat në Evropë. Ka mundësi që ajo të heqë dorë nga kundërshtimet në momentin e fundit, por në qoftë se kjo nuk ndodh, amerikanët e kanë bërë të qartë prej kohësh se do të shkojnë përpara me variantin e tyre.

Zëri i Amerikës: Ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Billt, në Forumin për marrëdhëniet transatlantike në Bruksel, po ashtu në fund të javës së kaluar, shprehu shqetësimin se një veprim i njëanshëm për pavarësinë e Kosovës do të bëhej shkak për luftë diplomatike në Kombet e Bashkuara dhe ndoshta trazira në rajon. Është ky një shqetësim i justifikuar?

Daniel Server: Mendoj se është pikërisht e kundërta. Në qoftë se Shtetet e Bashkuar nuk do të bënin gjë përballë dështimit të Këshillit të Sigurimit për të miratuar një rezolutë, kjo do të çonte në destabilizimin e rajonit të Ballkanit dhe veçanërisht të Kosovës. Për mendimin tim veprimet e njëanëshme nga ana e Shteteve të Bashkuara si dhe të disa vendeve të tjera everopiane që do të bashkohen eventualisht me to, kanë rëndësi të padiskutueshme jetësore, në qoftë se Këshilli i Sigurimit nuk arrin të miratojë një rezolutë që do të zëvendësonte rezolutën 1244.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se pavarësia e Kosovës do të shpallej në mënyrë të njëanëshe apo do të njihej në mënyrë të njëanëshme nga Shtetet e Bashkuara dhe disa fuqi të tjera, a mund të shërbente kjo si një precedent për veriun e Kosovës të banuar kryesisht nga sërbët, të shpallte pavarësinë?

Daniel Server: Nuk e di nëse kjo do të shërbente si precedent. Ata mund të përpiqen ta shfrytëzojnë si të tillë, por fakti është se nëqoftë se Shtetet e Bashkuara e njohin Kosovën në kufijtë e tanishëm, ajo do të mbetet e tillë përgjithmonë. Kështu ndodhi me vendet balltike në periudhën e Bashkimit Sovjetik. Ne nuk e njohëm aneksimin e atyre vendeve në Bashkimin Sovjetik për vite me radhë. Kjo do të ndodhë edhe me Kosovën. Kundërshtimi i Sërbisë për të pranuar njohjen e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara në kufijtë e saj të tanishëm do të shkaktonte keqësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Beogradit, gjë që do të ishte për të ardhur keq.

Zëri i Amerikës: Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid, u shpreh në Forumin transatlantik, është shprehur se “Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Rusia e kupton se Kosova do të jetë e pavarur në një mënyre apo një tjetër”. A tregon kjo një dozë padurimi nga ana e Shteteve të Bashkuara?

Daniel Server: Patjetër. Uashingtoni është i mendimit se kjo çështje duhet të zgjidhet para se Shteteve të Bashkuara t’u përfundojë afati i kryesisë së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pas kësaj, kur në krye të Këshillit të jenë vende që nuk kanë peshën e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe, nuk ka të ngjarë të arrihet një zgjidhje. Ka një dozë të madhe padurimi nga pala amerikane, sepse tani është kohë që të vendoset statusi përfundimtar i Kosovës. Në kushtet aktuale, ata që duhet të jenë më të duruar janë shqiptarët e Kosovës, sepse ata janë më të rrezikuar. Shqiptarët kanë qënë të duruar dhe duhet të jenë të duruar edhe më tej. Ata duhet të pranojnë faktin se qendrimi i tyre ndaj serbëve është ai mbi të cilin ata do të gjykohen. Është me shumë rëndësi në këtë fazë që serbët dhe pakicat e tjera në Kosovë të trajtohen me korektesë sepse ky është një faktor me rëndësi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës. //iç//

XS
SM
MD
LG